Ish-sulmuesi i Manchester United, Louis Saha ka thënë se klubi e ka dëgjuar Cristiano Ronaldos rreth nevojës së një rindërtimi në klub.
Ronaldo ka qenë kritikues i madh i klubit të Manchester United që nga largimi i tij në vitin 2022.
Superylli portugez ka thënë se United duhet të rindërtojë gjithçka nga e para, në mënyrë që të jetë gati për të fituar trofetë madhor përsëri.
Ronaldo gjithashtu ka folur edhe për mungesën e ambicies nga trajneri holandez i United, Erik ten Hag.
United kanë bërë disa ndryshime në klub që nga ardhja e Sir Jim Rattclife dhe INEOS si bashkëpronar në klub.
Omar Berrada ka ardhur nga Manchester City si shef ekzeutiv, derisa Dan Ashworth nga Newcastle United si drejtor sportiv.
Ten Hag po ashtu e ka përfshirë legjendën e United, Ruud van Nistelrooy në stafin e tij të trajnerëve.
Vera ishte shumë e zënë për United, pasi nënshkroi me disa lojtarë, duke nisur nga Leny Yoro, Manuel Ugarte, Noussair Mazraoui, Matthijs de Ligt dhe Joshua Zirkzee.
Saha beson se Ronaldo ka qenë i drejtë me kritikat e tij dhe se klubi e ka dëgjuar ish-lojtarin e tij.
Ai foli për “Casino Hawks”: “Cristiano Ronaldo kishte të drejtë kur tha se Manchester United ka nevojë të rindërtojë gjithçka. Unë mendoj se një arsye pse klubi ka bërë gjithë këto ndryshime, është edhe ajo intervistë e Ronaldos, dy vite më parë. Këto gjëra duhet kohë për t’u realizuar, por duket se klubi ka filluar të kuptojë se si ndihen tifozët e çfarë kërkesa duhet plotësuar”.
“Klubi duhet t’i dëgjojë legjendat si Ryan Giggs, Rio Ferdinand, Paul Scholes e Cristiano Ronaldo, pasi ky klub ka nevojë që edhe një herë të kuptojë se si fitohen trofetë”, ka thënë Saha.
Manchester United rikthehet në aksion të dielen në ndeshjen ndaj Tottenham Hotspur.
“Djajtë e Kuq” paraqiten në këtë ndeshje pas dy barazimeve radhazi, ndaj Crystal Palace në Premier League dhe ndaj Twente në Ligën e Europës..