Futbollistët e Liverpoolit kanë shënuar fitoren e pestë në edicionin e ri të Premier Ligës duke marrë sërish kreun e tabelës.
Në ndeshjen e xhiros së gjashtë, Liverpool shënoi fitore jo edhe aq të lehtë në përballje në udhëtim kundër Wolverhampton me rezultat 2:1.
Mysafirët kaluan në epërsi me golin e Ibrahima Konate në minutën e dytë të kohës shtesë të pjesës së parë.
Mikpritësit u rikthyen në pjesën e dytë kur mbrojtësi algjerian Rayan Ait Nouri barazoi rezultatin në minutën e 56-të.
Ndeshja u vendos në minutën e 61-të me golin e Mohamed Salah nga penalltia.
Ndryshe, Wolverhampton ka nisur keq garat në Premier Ligë ku nga gjashtë ndeshje të zhvilluara ka pësuar pesë humbje dhe ka vetëm një barazim duke u renditur kështu në fundin e tabelës me vetëm një pikë.
Liverpool kryeson me 15 pikë, një më shumë se ndjekësit Arsenali dhe City në pozitat dy dhe tre. Chelsea renditet i katërti në tabelë me 13 pikë, Aston Villa është e pesta me 12 pikë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Të dielën zhvillohen dy ndeshjet e fundit të xhiros së gjashtë të Premier Ligës nga ora 15:00 Ipswich Town-Aston Villa dhe nga ora 17:30 Manchester United - Tottenham Hotspur.