Arteta i uritur: Mezi po e presim PSG-në

Futboll

Arteta i uritur: Mezi po e presim PSG-në

Më: 1 tetor 2024 Në ora: 11:47
Mikel Arteta

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta ka dhënë një përditësim mbi gjendjen fizike të Rikardo Kalafiorit përpara ndeshjes me PSG-në. Mbrojtësi italian startoi ndeshjen e tij të dytë për klubin, ndërsa Arsenali vijoi fillimin e tyre të pamposhtur të sezonit me një fitore 4-2 ndaj Lestërit të shtunën.

“Topçinjve” iu deshën dy gola në kohën shtesë për të siguruar fitoren, ndërsa miqtë barazuan ndonëse ishin duke humbur 2-0. Kalafiori u rrëzua keq pasi një dyluftimi ajror me Odson Eduard vetëm disa sekonda para fundit, ndërsa u pa në lot dhe duke mbajtur një mbrojtëse gjuri pas ndeshjes. Megjithatë, Arteta thotë se transferimi 42 milionë paundësh nga Bolonja dhe Ben Uajt, të cilët humbën fitoren ndaj “dhelprave” për shkak të një dëmtimi, mund të jenë të disponueshëm për t’u përballur me PSG-në në pritje të testeve të mëtejshme.

“Këta janë dy lojtarët që mund të rikthehen dhe ne duhet ta rishikojmë sot (dje)”, tha Arteta në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes së dytë të Ligës së Kampioneve. Për Kalafiorin ai shtoi: “Ne nuk kishim një seancë stërvitore dje (të hënën). Është e qartë se ai ishte pak emocional pas ndeshjes dhe le të shohim se si është ai sot”. Kalafiori ka shkëlqyer që nga transferimi i tij në “Emirates” dhe shënoi në barazimin e 2-2 me Mançester Sitin javën e kaluar.

Arsenali do të kërkojë të arrijë fitoren e parë në Champions këtë sezon, kur do të presë kampionët e Francës në Londër dhe Arteta mezi po e pret sfidën. “Të gjithë e presin me padurim”, tha ai. “Faza e grupeve është pak më ndryshe këtë sezon dhe kundërshtari me të cilin do të përballemi nesër (sot) është ndoshta në nivelin më të lartë që mund të përballeni në futbollin europian. Por është një mundësi e mirë për ne që të shohim se si i përballojmë këto mbrëmje, sa të përgatitur jemi dhe si mund të imponohemi në këtë lloj konteksti.

PSG është e jashtëzakonshme dhe dominon çdo fazë të lojës. Ata kanë një qëllim shumë të qartë se si duan të dominojnë lojën përmes topit dhe kur nuk e kanë atë, ata e duan atë menjëherë. Ata janë vërtet agresivë me topin dhe përplasen me ju. Sigurisht, ne duam ta fitojmë ndeshjen dhe e dimë që pas barazimit me Atalantën, me numrin e ndeshjeve që kanë mbetur ende, do të jetë shumë e rëndësishme. Por asgjë nuk do të vendoset nesër”.

Osman Dembele do të mungojë sot për shkak të një zënke me trajnerin Luis Enrike, por Arteta kërkoj të qëndrojë jashtë këtyre historive: “Ne sapo e morëm lajmin pak më parë. Nuk e di nëse është i vërtetë apo jo. Por ne do ta përgatisim ndeshjen siç bëjmë gjithnjë dhe le të shohim. Por sigurisht që ata kanë shumë alternativa të tjera”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat