Po kur të rikthehet Barela, Inzagi çfarë do të bëjë? Është shpejt për ta thënë dhe për ta menduar, por një gjë është e sigurt: Davide Fratezi e shfrytëzoi në maksimum rastin që pati nga dëmtimi i mesfushorit tjetër italian.
Nuk është hera e parë, sepse në fakt në barazimin e shëmtuar ndaj Monzës luajti si titullar. Në të dytën goditi në shenjë. Në Udine, ish-lojtari i Sasuolos u bë protagonist i golit pas 43 sekondash duke konfirmuar tendencën që është vendimtar: Një gol ose një asist çdo 129 minuta me fanellën e Interit.
Mungesa e Barelës nuk është ndier as në aspektin e ndërtimit të lojës. E thënë ndryshe, me një Fratezi të tillë, Barela mund të marrë të gjithë kohën për të pushuar dhe për t’u rikthyer më i fortë. Por më e bukura vjen tani, me debutimin nga minuta e parë në Champions League.
Në “San Siro” vjen Cervena Zvezda dhe zikaltrit janë të thirrur në apel për ta fituar këtë ndeshje.
Pas provës së vërtetë ndaj Udinezes, trajneri Inzagi me shumë mundësi do t’i besojë nga minuta e parë mesfushorit italian. Fratezi është një lojtar që të jep garanci, pavarësisht disa problemeve me disiplinimin në fushë.