Me katër ndeshje u kompletua xhiroja e tretë e Ligës së Tretë të Maqedonisë – Veri, ndërsa derbi u luajt në “Hasanbeg Arena” ku Shkëndija e Haraçinës u ndesh me GFK Kumanovo, ndeshje mes kampionit dhe nënkampionit të vitit të kaluar, ku tani Shkëndija e Haraçinës e deklasoi me rezultat 6:0.
Pas katër minutash lojë Bujar Ilazi shënoi për 1:0 dhe epërsi të hershme për Shkëndijën, ndërsa në minutën e 24-të Ergin Sherifi shënoi autogol për 2:0. Në minutën e 44-të, Ilazi shënoi golin e dytë për rezultatin 3:0 në pjesën e parë.
Në minutën e 60-të të ndeshjes Sherifi shënoi edhe një autogol për 4:0, ndërsa në minutën e 65-të Dario Desnic shënoi kundër ish-skuadrës së tij për 5:0, por nuk e festoi golin në shenjë respekti për ish-skuadrën e tij.
Në minutën e 83-të, Shuaib Aliti sapo hyri në lojë shënoi për rezultatin final 6:0 dhe për fitoren bindëse të Shkëndijës ndaj Kumanovës, në një ndeshje ku nuk pati asnjë karton të verdhë apo të kuq.
Rzanicino luajti në shtëpi ndaj Fortuna-s, ku dy skuadrat ndanë pikët pasi luajtën 1:1. Orhan Miftari shënoi në minutën e 55-të për të kaluar mysafirin në epërsi, ndërsa nikoqiri mori një pikë pasi Stefan Gjorjiev shënoi në minutën e 90-të për 1:1.
New Stars mirëpriti Euromilk GL në një ndeshje ku mysafiri shënoi tre pikë të reja me rezultat 2:4.
Aerodromi priti Kadinon ku vendasit fituan 2:1.
Një ditë më herët, Besa festoi me 3:1 ndaj Bashkimit Luboten, Akademia Ilinden fitoi me skuadrën e Rinias me 1:0 dhe BVK Konjare me 2:1 shënoi fitoren e parë sezonale ndaj Pçinjës.
Rezultatet, java e 3-të:
Besa-Bashkimi L. 3-1
Shkëndija-Kumanovo 6-0
R’zhanicino-Fortuna 1-1
New Stars – Euromilk 2-4
Aerodrom-Kadino 2-1
BvK-Pcinja 2-1
Ak. Ilinden-Rinia 1-0