Manchester Utd pritet të qëndrojë me trajnerin Erik ten Hag në stol për ndeshjet kundër Portos dhe Aston Vilës këtë javë, pavarësisht humbjes së tyre demoralizuese kundër Totenhemit në “Old Trafford” të dielën.
Holandezi po përjeton një fillim të dobët të sezonit, i cili e ka lënë skuadrën e Manchester në vendin e 12-të në Premier Ligë. Një numër burimesh të larta të klubit të Manchester Utd i kanë thënë “BBC Sport” nuk do të ketë asnjë ndryshim në stol dhe klubi po fokusohet në ndeshjet e ardhshme kundër Portos dhe Aston Vilës, por asnjë koment zyrtar nuk është bërë nga klubi.
“The Sun” raporton një tjetër lajm, ndërsa thotë se dy ndeshjet e radhës së “Djajve” do të jenë vendimtare për fatin e ish-trajnerit të Ajaksit, i cili pritej që të shkarkohej që në fund të sezonit të shkuar, por një kthesë e papritur e drejtuesve i ndryshoi planet e tyre dhe i ofruan rinovimin e kontratës edhe për një tjetër sezon.
Duke folur pas humbjes 3-0 kundër Totenhemit, Ten Hag tha se ai nuk po mendonte për shkarkimin duke shtuar se ai dhe pronarët janë në të njëjtën faqe. “Jo. Unë nuk po mendoj për të ardhmen time. Ne e morëm të gjithë bashkë vendimin për të qëndruar së bashku, si pronësi, si grup, gjatë verës dhe e morëm vendimin pas një analize të qartë të asaj që duhet të përmirësojmë dhe asaj që duam të ndërtojmë si skuadër. Por ne e dinim se do të kërkonte pak kohë, duke parë sesi shkoi merkato. Disa lojtarë erdhën vonë, si Ugarte. Por gjithashtu duhet të bëjmë disa përmirësime, kemi disa dëmtime dhe na duhet pak kohë”.
Ten Hag nënshkroi një kontratë të re në verë dhe muajin e kaluar shefi ekzekutiv i klubit, Omar Berrada, konfirmoi se kishte mbështetjen e plotë të klubit. Ndërkohë që presioni mbi të po rritet dita ditës, të hënën në mëngjes “BBC Sport” iu komunikua se hierarkia e klubit do t’i konsiderojë gjithmonë me kujdes situata të tilla, në vend që të marrë një vendim të nxituar pas një rezultati të keq.
Megjithatë, Ten Hag përballet me një javë potencialisht të rëndësishme me transfertën në Porto në Ligën e Europës dhe Aston Vilën në Premier Ligë, para pushimit ndërkombëtar të tetorit.