Arbnor Ramadani premton maksimumin për Llapin: Golin ia dedikoj familjes time dhe tifozëve ‘Legjendave’

Futboll

Arbnor Ramadani premton maksimumin për Llapin: Golin ia dedikoj familjes time dhe tifozëve ‘Legjendave’

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 1 tetor 2024 Në ora: 16:46
Arbnor Ramadani

Sa vijnë e kalojnë javët gjithnjë e më interesant po bëhet lufta për kreun e tabelës në elitën e futbollit të Kosovës.

Malisheva kryeson renditjen por ka presionin e madh nga Llapi i Podujevës.

Llapjanët po kalojnë në formën më të mirë të mundshme në javët e fundit, treguesi më i mirë është edhe fitorja e fundit e bindëse me rezultat 3:0 ndaj Suharekës.

Image

Ramadani në veprim

Çka është edhe më interesant, i shkaktuan humbjen e parë debutuesit Suharekës.

Djelmoshat e kryetrajnerit Tahir Batatina regjistrojnë tri fitore rresht, pas fitores si vendas me 1:0 ndaj Dritës, triumfuan me 1:0 në Ferizaj dhe së fundi me 3:0 kundër Suharekës në stadiumin “Zahir Pajaziti".

Image

Malisheva kryeson me 14 pikë pas javës së 7-të, duke lënë pas Ballkanin me 13, Llapin 13, Suharekën 13, Dritën 12, Prishtinën 10 pikë etj. 

Prej më të merituarve për fitoren e thellë të Llapit padyshim është edhe futbollisti Arbnor Ramadani. 

Mesfushori Ramadani vulosi rezultatin 3:0 në minutën e 90-të ndaj Suharekës.

Ramadani me Llapin po përgatiten për derbin e madh të fundjavës kundër kampionit në fuqi, Ballkani, që do të luhet në “Zahir Pajaziti”. 

Ramadani beson e shpreson se ndeshje pas ndeshje do të shënojnë rezultate pozitive.

“Bota sot”: Llapi është në formën më të mirë, një pikë larg kreut, si e sheh në javët në vazhdim?

Arbnor Ramadani: Po, është e vërtetë që po gëzojmë një formë të mirë si klub, por na mbetet shumë punë për t’u bërë që ta mbajmë këtë formë.

Sa i përket ndeshjeve të radhës, besoj që do të shkojmë ndeshje pas ndeshje të japim maksimumin si ekip.

Besoj që nuk do të mungojnë as rezultatet pozitive, por na mbetet shumë punë për të bërë.

“Bota sot”: Fitorja ndaj Suharekës është dëshmi e formës, kujt ia dedikoni golin?

Arbnor Ramadani: Fitorja ndaj Suharekës është një dëshmi e formës së mirë të grupit por edhe e punës së madhe që bëhet në klub.  

Sa i përket golit, golin ia dedikoj familjes time dhe tifozëve  llapjan posaçërisht ‘Legjendave’. 

“Bota sot”: A mendoni se Llapi do të jetë ndër kandidatët kryesor për titull?

Arbnor Ramadani: Po, siç dihet tash ndër vite skuadra e Llapit pretendon pozitat e para në tabelë, por ne do të futemi në çdo ndeshje që të japim më të mirën nga vetja dhe me pas do të shohim çfarë mundësi do të na jepen gjatë rrugës.

“Bota sot”: Ku e sheh forcën e skuadrës?

Arbnor Ramadani: Mendoj që forca e kësaj skuadre qëndron te grupi dhe të puna e madhe që bëhet brenda skuadrës.

Shpresojmë të vazhdojmë si një grup. Gjatë gjithë sezonit dhe besoj që do të na shpërblehet në fund puna që po bëhet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat