Hapet procedurë disiplinore për dhunën në Malishevë

Futboll

Hapet procedurë disiplinore për dhunën në Malishevë

Më: 1 tetor 2024 Në ora: 17:29
Tifozët

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës të martën ka hapur procedurë disiplinore ndaj lojtarit të Vëllaznimit, Norik Krasniqi dhe atij të Lirisë, Abaz Karabaq.

Siç shkruan në njoftimin e FFK-së, dy lojtarët kanë shkëmbyer grushte në mes vete në ndeshjen derbi të javës së shtatë të Grupit A të Ligës së Parë në mes të Vëllaznimit dhe Lirisë, e zhvilluar në fundjavë në Malishevë. 

Përleshja e dy lojtarëve, sipas FFK-së, ka nxitur një kacafytje tjetër në masë më të madhe të lojtarëve të të dyja ekipeve.

Po ashtu bëhet e ditur se lojtari i Vëllaznimit, Krasniqi, ka tentuar edhe sulm fizik ndaj arbitrit asistent, Lirak Ibërdemaj. 

“Por që u parandalua nga stafi i ekipit vendas. Kjo situatë nxiti tifozët vendas të cilët filluan të gjuanin me sende të forta (shishe) në drejtim të ekipit të gjyqtarëve. Falë intervenimit të policisë u evitua më e keqja”, shkruan në arsyetimin e KG-së.

Për dështim të organizimit të ndeshjes, KG ka hapur procedurë disiplinore edhe ndaj Vëllaznimit.

Nga incizimi që ka qarkulluar në fundjavë në rrjetet sociale janë parë disa persona që kalojnë rrethojat e stadiumit “Liman Gegaj” në Malishevë, ku Vëllaznimi ishte vendës, pasi stadiumi i tij në Gjakovë nuk është gati. Vëllaznimi triumfoi 2:1..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat