UEFA-ja e ka dënuar Federatën e Futbollit të Kosovës me një total prej 61 mijë eurosh për ndeshjen kundër Rumanisë që u mbajt muajin e kaluar në kuadër të Ligës së Kombeve, njofton Klan Kosova.
FFK-ja është dënuar me 10 mijë euro për futjen e njerëzve në fushë, 22 mijë sosh për hedhjen e gjësendeve nga tifozët, gjashtë mijë euro për ndezjen e fishekzjarreve.
15 mijë euro FFK-ja ka marrë dënim për fishkëllimat e tifozëve gjatë himnit të Rumanisë, tetë mijë për bllokimin e rrugëkalimeve.
Për fishekzjarrë të ndezur, buxheti i FFK-së do të pakësohet për 6000 euro.
Pas ndeshjes, nga kombëtarja e Kosovës nuk ishin respektuar obligimet për deklarim për media. Selektori Franco Foda nuk doli në konferencë për shtyp, ndërsa i vetmi që foli, madje vetëm për dy mediume, ishte kapiteni Amir Rrahmani.
Dhe për mosrespektim të aktiviteteve mediatike, UEFA ia ka tërhequr vërejtjen FFK-së. Paraqitja e selektorit në konferencë është obligative e po ashtu deklarimi i lojtarëve në zonën miks.