Sezon i çmendur nga Ardian Ismajli

Futboll

Sezon i çmendur nga Ardian Ismajli

Më: 1 tetor 2024 Në ora: 19:49
Ardian Ismajli

Pa frikë mund të themi se Ardian Ismajli është një garanci për Kombëtaren, duke treguar edhe njëherë se duhet të jetë ai krah Berat Gjimshitit në ndeshjet e ardhshme të kuqezinjtë.

Megjithëse në këtë rol janë edhe Marash Kumbulla me Arlind Ajetin (të dy po luajnë rregullisht), forma e Ismajlit është diçka tjetër dhe për më tepër po e demonstron në Serinë A. Pas ndeshjeve të shtatorit, ku Ismajli ishte një ndër lojtarët më të mirë për Shqipërinë, mbrojtësi po vijon të luajë një sezon fantastik deri tani me Empolin.

Kjo skuadër është mes atyre që kanë pësuar më pak gola deri tani në kampionatin italian, ndërsa mbajtën portën e paprekur edhe ndaj Fiorentinës në barazimin 0- 0. Por, jo vetëm pasi ai e tregoi veten edhe me Juven, Romën, Bolonjën, Monzën dhe Kaljarin.

Në disa ndeshje edhe me shiritin e kapitenit në krah, Ismajli po merr shumë vlerësime në Itali.

“E dëshmon veten si një lojtar kyç në mbrojtjen e Empolit. Gjithmonë i fokusuar dhe i përpiktë në mbyllje, fiton pothuajse të gjitha duelet ajrore me sulmuesit kundërshtarë. Përvoja e tij dhe pozicionimi i saktë janë thelbësore në mbrojtje dhe neutralizimin e sulmeve të kundërshtarit”, thuhet në një ndër vlerësimet për mbrojtësin e Kombëtares. Ismajli është pjesë e ekipit nga Toskana që prej vitit 2021 dhe ka një kontratë deri në verën tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat