Derisa Erling Haaland e theu rekordin duke u bërë lojtari më i vlefshëm ndonjëherë në treg, sipas faqes së specializuar për vlerësimin e lojtarëve – Transfermarkt, punët hiç mirë nuk i kanë dy legjendat e futbollit, Lionel Messi e Cristiano Ronaldo.
Karriera e tyre po shkon drejt perëndimit pasi e dominuan futbollin për gati për dy dekada.
Tash, vlera e argjentinasit, i cili nga viti i kaluar është bërë pjesë e Inter Miamit, ka rënë në 25 milionë euro, që është vlera më e ulët e tij që nga viti 2006, kur kishte shpërthyer si lojtar.
E punët edhe më keq i ka ylli portugez, i cili vlen vetëm 15 milionë euro.
Ronaldo i kishte dhënë fund eksperiencës në futbollin evropian për ta provuar një përvojë të re në Arabinë Saudite, duke iu bashkuar ekipit Al-Nassr.
E tash po shihet se futbolli ka kaluar në duart e lojtarëve të tjerë.
Derisa sulmuesi i Manchester Cityt e arriti vlerën rekord prej 200 milionë eurosh, jo shumë larg tij gjenden tre yjet e Real Madridit, Kylian Mbappe, Vinicius Junior e Jude Bellingham, që të tre me vlerën 180 milionë euro.
Madje, braziliani, pasi ta fitojë Topin e Artë pritet t’i rritet po ashtu vlera.
Sidoqoftë, Messi dhe Ronaldo kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në futboll dhe do të jetë e vështirë të gjendet një rivalitet si i tyre në histori të futbollit.