Tashmë është zyrtare: Armando Cungu largohet nga Laçi. RTSH Sport mëson se trajneri i njohur shkodran është larguar përfundimisht nga drejtimi i skuadrës kurbinase.
Pas humbjes në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Teutës, Cungu ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i tij dhe nuk është paraqitur në stërvitje gjatë kësaj jave. Ndonëse drejtuesit e klubit i kanë kërkuar sërish trajnerit që të mos largohet, kësaj radhe Cungu ka vendosur që të mos kthehet pas.
Tekniku ka vendosur që të qëndrojë pushim për një periudhë kohore.
Kujtojmë që trajneri shkodran njoftoi në emisionin “Supergol” në RTSH se jepte dorëheqjen nga Laçi pas humbjes në Korçë përballë Skënderbeut, por drejtuesit e bindën që të vazhdonte sepse ishin të kënaqur me punën e tij dhe se rezultatet nuk tregonin gjendjen reale të skuadrës.
Tashmë gjithçka është mbyllur dhe Laçi është në kërkim të një trajneri të ri, ende nuk dihet se kush do të jetë në stol në ndeshjen e radhës kundër Dinamos. Kujtojmë që Laçi qëndron në vendin e fundit në renditjen e Abissnet Superiore, me 3 pikë pas 7 javësh, pa provuar ende shijen e fitores këtë sezon.