Wojciech Szczęsny është zgjedhur nga FC Barcelona si zëvendësues për portën dhe këtë të mërkurë është bërë zyrtar transferimi i tij.
Pas dëmtimit të fundit të Marc-André ter Stegen, që do ta mbajë gjermanin jashtë fushës për pjesën e mbetur të sezonit, drejtuesit sportivë dhe Hansi Flick kanë dashur të sigurojnë mbrojtjen e portës, duke mos lënë të gjithë përgjegjësinë tek Iñaki Peña dhe lojtarët e rinj nga La Masia.
Portieri me përvojë polak, i cili ishte tërhequr nga futbolli profesionist dhe kishte varur dorezat ende me kontratë me Juventusin, është i gatshëm të rikthehet në fushë dhe të firmosë me skuadrën blaugrana deri në fund të sezonit.
Barça nuk do të ketë asnjë problem për ta regjistruar në La Liga, pasi mund të përdorë deri në 80% të pagës së gjermanit për ta regjistruar.
Po ashtu, klubi katalanas do të mund ta përfshijë Szczęsny-n në listën e Ligës së Kampionëve.
Propozimi i FC Barcelona për pagën e Szczęsny-t është rreth tre milionë euro bruto për pjesën e mbetur të sezonit. Ky aspekt nuk ka qenë pengesë për ecurinë e marrëveshjes.
Në fakt, marrëveshja u arrit relativisht shpejt. Portieri polak ishte i entuziazmuar nga ideja e të luajturit te Barça, Lewandowski ndihmoi në shtytjen e procesit dhe gjithçka u realizua mjaft shpejt, pas bisedave me polakun gjatë ditëve të tij të fundit të pushimeve në Marbella.