Shqipëria U15 i "falet" penalltive, vajzat kuqezi mposhtin Estoninë

Futboll

Shqipëria U15 i "falet" penalltive, vajzat kuqezi mposhtin Estoninë

Më: 2 tetor 2024 Në ora: 22:06
Shqipëria

Kanë përfunduar ndeshjet e dyta të turneut “UEFA development” U-15 për vajza, që organizohet nga FSHF në datat 30 shtator – 5 tetor me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Kosovës, Estonisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Shqipëria U-15 luajti takimin e dytë ndaj Estonisë dhe koha e rregullt e kësaj sfide u mbyll në barazim 1-1. Më pas, nga penalltitë Shqipëria triumfoi me rezultatin 4-2.

Trajnerja Daniela Kodra hodhi në fushë këtë formacion startues: Eriana Haxhija (GK), Anita Boqaj (C), Reiana Jahelezi, Elda Ahmeti, Laureta Dautaj, Agnesa Mehmeti, Adela Thaqi, Lorena Leskaj, Enxhi Idrisllari, Arsiola Zenunllari dhe Emi Maksuti.

Ndeshja nisi e barabartë, teksa të dyja skuadrat u treguan të kujdesshme në prapavijë për të shmangur çdo rrezik. Kombëtarja shqiptar shënoi golin e parë të takimit në minutën e 28-të. Pas një harkimi në zonë, Emi Maksuti e dërgoi topin në rrjetë dhe i dha avantazhin Shqipërisë.

Epërsia zgjat vetëm katër minuta, pasi Estonia barazoi rezultatin e ndeshjes pas një gabimi të portieres, duke i çuar shifrat në 1-1.

Pjesa e dytë nuk prodhoi asnjë gol, pavarësisht se të dyja skuadrat patën disa mundësi të mira shënimi. Deri në fundin e ndeshjes trajnerja Daniela Kodra kreu disa zëvendësime për t’i dhënë mundësi vajzave të tregojnë cilësitë e tyre në fushë.

Pas përfundimit të kohës së rregullt me rezultatin 1-1, ekipet iu drejtuan penalltive. Vajzat kuqezi u treguan më të sakta dhe Shqipëria triumfoi 4-2.

Në ndeshjen tjetër të grupit të luajtur paraditen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit”, Kosova mundi Maqedoninë e Veriut me rezultatin 3-2.

Ndeshjet e treta dhe të fundit në grup do të luhen më 5 tetor. Estoni – Kosovë do të zhvillohet në orën 11:00, ndërsa Shqipëria do të përballet me Maqedoninë e Veriut në orën 15:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat