Berat Gjimshiti ishte protagonist absolut i fitores me shifrat 3-0 të Atalantës përballë Shakhtar Donjetck në ndeshjen e dytë të Ligës ë Kampioneve. Mbrojtësi shqiptar, i rreshtuar si titullar, shënoi golin e avantazhit pas 20 minutash lojë me një lëvizje prej bomberi të vërtetë në zonën kundërshtare.
Por Gjimshiti nuk doli në fushën e lojës pas pushimit të ndeshjes, i zëvendësuar nga trajneri Gasperini.
Më vonë, u mësua se lojtari kishte ndjerë dhimbje në ije pas një përplasje dhe ishte lënë pushim nga trajneri në pjesën e dytë të ndeshjes.
Vetë Gasperini theksoi për mediat se situata e Gjimshitit duhej kontrolluar në vijim pas këtij problemi të mbrojtësit. “Ai ka një problem në ije që ne duhet ta vlerësojmë”, tha Gasperini, por duke lënë të kuptohet se mendonte që nuk ishte diçka që mund të linte për një kohë të gjatë larg fushës mbrojtësin shqiptar.
Gjithsesi, edhe një dëmtim afatshkurtër mund të komplikojë situatën për Kombëtaren shqiptare, duke llogaritur se pas pak ditësh nis grumbullimin për ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Ccekisë dhe Gjeorgjisë.
Gjimshiti ishte një mungesë edhe në ndeshjet e muajit shtator për shkak dëmtimi teksa pritej të kthehej përsëri mes titullarëve për këto dy ndeshje të radhës në radhët e kuqezinjve ku mban edhe shiritin e kapitenit.