Berat Gjimshiti ishte një nga protagonistët e fitores së Atalantës në Ligën e Kampionëve, ku mundi me rezultatin 0-3 Shakhtar Donetsk, me kapitenin e Kombëtares shqiptare që realizoi golin e parë të sfidës.
Gjithsesi, pas përfundimit të pjesës së parë, 31-vjeçari nuk u hodh më në fund, duke u zëvendësuar nga Pasalic.
Siç raporton “Sky Sport”, Gjimshiti ndjeu dhimbje të lehta në ije, me trajnerin Gasperini që preferoi mos ta rrezikonte atë.
Kjo gjë ka sjellë panik në kampin shqiptar, vetëm një ditë përpara publikimit të listës nga Sylvinho për duelet me Republikën Çeke dhe Gjeorgjinë në Ligën e Kombeve, të cilat do të luhen më 11 dhe 14 tetor.
Gjimshiti nuk ishte pjesë e dy ndeshjeve të para me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, sërish për shkak të një dëmtimi që mori vetëm pak ditë përpara grumbullimit dhe nëse kjo gjë ndodh sërish, atëherë do të jetë një problem tejet i madh për Sylvinhon dhe stafin e tij, i cili duhet të bëjë pa një nga pikat kyçe të skuadrës.