Alternativat e Interit

Futboll

Alternativat e Interit

Më: 3 tetor 2024 Në ora: 12:11
Interi

Interi rrëmben skenën edhe në javën e dytë të Champions Leagues, duke shkatërruar 4-0 Cervena Zvezdën në një ndeshje pa histori.Një sfidë që në letër parashikohej e tillë dhe që fushë mund të sillte të papritura, por falë kompaktësisë së reparteve zikaltrit arritën që të dominonin pa probleme duke fituar ndeshjen e parë në këtë grup unik. Me katër golat e realizuar donte që të dërgonte një mesazh për skuadrat e tjera rivale. Katër pikë pas 2 ndeshjeve të para nuk janë keq. Mund të pyesni kushërinjtë kuqezinj për më shumë informacione… Interi po ngre zërin në këtë kompeticion.

Sinjali i parë erdhi në “Etihad” në një ndeshje kundër Sitit të Guardiolës. Disiplina dhe dëshira për të bërë mirë e djemve të Inzagit ishin arsyet kryesore. Dhe kundër serbëve erdhi konfirmimi. Sigurisht që Ndiaje nuk është Haland dhe Kruniç nuk është Rodri, por problematikat që mund të shfaqeshin në duelin me serbët ishin të shumta. Dhe trajneri Inzagi e tha shpeshherë në konferencë që përqendrimi ishte elementi kryesor. Dhe të tijtë nuk tradhtuan. Në aspektin mbrojtës, disa rreziqe erdhën, por si skuadër Interi luajti një ndeshje të madhe. Kompaktësia e skuadrës ashtu si e grupit. Çdo element në skuadrën e Interit ndihet pjesë e rëndësishme e projektit edhe kur luan më pak sesa të tjerët. Dhe nuk mund ta quani rrotacion, sepse për Simone Inzagin ndryshimet e shumta bëjnë pjesë në procesin e rritjes së skuadrës, ku kërkon t’i bëjë të gjithë të ndihen mirë në një sezon të gjatë dhe të vështirë. Ndryshimet në mesfushë me Zielinskin si titullar që u përgjigj prezent dhe në sulm duhet të shihen pikërisht në këtë kontekst. Interpretuesit që ndryshojnë, por rezultati është gjithmonë i njëjti.

TË GJITHË GATI – Suksesi i merituar ndaj Cervena Zvezdës certifikon entuziazmin dhe dëshirën e çdo lojtari për të bërë mirë dhe për të dhënë ndihmën për skuadrën. Shihni Arnautoviçin për ta konfirmuar këtë teori. Kishte luajtur shumë pak, por gjeti golin në Champions. Por jo vetëm kaq, ishte i pari që luftonte për skuadrën kur ajo nuk kishte topin. Ashtu siç kërkoi trajneri: “E gjithë skuadra duhet të ndihmojë ekipin në fazën mbrojtëse”. Dhe duke i thurur elozhe austriakut nuk mund të harrojmë Taremin, edhe një herë tjetër vendimtar me asistet e tij, por këtë herë edhe i zoti për të shënuar gol. Shënuan 3 sulmuesit dhe Turam, i cili u argëtua nga stoli.

Kjo ishte prova që alternativat e Inzagit funksionojnë dhe Interi ka një organikë të pasur. Kush e quan rrotacion, do të jetë në telashe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat