“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, si të gjitha ndeshjet. Lille luajti mirë, po ashtu edhe ne, por ishte e vështirë. Ne e humbëm ndeshjen, por tashmë jemi të fokusuar te tjetra“.
Është ky komenti i sotëm i Endrick, talentit brazilian të Real Madrid.
Mbrëmë, ai u aktivizua titullar nga trajneri Carlo Ancelotti në ndeshjen e Champions League të cilën “los blancos” e humbi 0-1 ndaj Lille. Për brazilianin ishte paraqitja e tij e parë në kompeticionin europian me Real Madrid.
Gjithsesi, emocioni për të luajtur në një kompeticion kaq prestigjioz dhe për të qenë pjesë e një skuadre si Real Madrid është i papërshkrueshëm për ish-lojtarin e Palmeiras: “Është një ndjenjë e pabesueshme”.
“Jam në klubin më të mirë në botë. Të luaj që në fillim është shumë e vështirë këtu, por jam shumë i lumtur për këtë që ndodhi”, tha më tej Endrick për “AS”.
“Jam shumë i lumtur që luajta titullar, por nuk jam shumë i kënaqur me humbjen. Jemi të fokusuar në ndeshjen e radhës kundër Villarreal, i fokusuar në stërvitjen e radhës. Sezoni është shumë i gjatë dhe shpresoj që të fitojmë ndeshjen e radhës”, tha Endrick.