Sami Sermaxhaj: Ky është një grumbullim në vazhdën e programit vjetor të FFK-së

Futboll

Sami Sermaxhaj: Ky është një grumbullim në vazhdën e programit vjetor të FFK-së

Më: 3 tetor 2024 Në ora: 15:08
Kosova

Kombëtarja e Kosovës U18 ka përmbyllur me sukses grumbullimin e radhës treditor, i cili u zhvillua në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Ky grumbullim kishte për qëllim vazhdimin e punës me këtë grupmoshë, duke i mbajtur futbollistët në formë dhe duke i përgatitur për kalimin në ekipet e moshave më të mëdha si U19 dhe U21.

Gjatë këtyre tre ditëve, 24 futbollistët e ftuar punuan me përkushtim dhe disiplinë nën drejtimin e trajnerit Sami Sermaxhaj dhe stafit të tij teknik, të përbërë nga Alban Dragusha, Sheremet Isufi, Erdin Hashani dhe Flamur Neziri.

Të gjithë ata kontribuuan në zhvillimin teknik dhe taktik të lojtarëve, duke i udhëzuar në mënyrë profesionale për detyrat dhe përgjegjësitë në fushën e lojës.

Në ditën e fundit të kampit, u zhvillua edhe një ndeshje testuese kundër ekipit U19 të KF Llapit, si një mundësi për të vlerësuar performancën e futbollistëve. Trajneri Sermaxhaj u shpreh i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve gjatë gjithë këtij grumbullimi, duke theksuar se kjo përvojë u shërben atyre në rrugën e tyre drejt zhvillimit të mëtejshëm.

Deklaruan:

Sami Sermaxhaj, tha: “Ky është një grumbullim në vazhdën e programit vjetor të FFK-së. Ideja është që ne të seleksionojmë lojtarët më të mirë nga kampionati vendor dhe së bashku me kolegët, i kemi parë për dy muaj performancën e lojtarëve dhe i kemi përzgjedhur më të mirët sipas mendimit tonë. Është kënaqësi të punosh me këta lojtarë, pasi kanë shumë talente dhe potencial, prandaj nuk do të jetë surprizë që disa prej tyre t’i shohim në nivele të larta evropiane.

Ky organizimi i FFK-se edhe me kombëtaret U16, U18 dhe U20 është shumë i dobishëm sepse nuk i lënë anash lojtarët. Për shembull ata që kanë qenë U17, tani menjëherë angazhohen në U18, sepse për disa lojtarë kalimi prej U17 në U19 është i vështirë, qoftë për shkak të moshës, qoftë për shkak të zhvillimit biologjik. Ideja është shumë e mirë pasi këta janë shumë afër U19, por pse jo dikush nga këta direkt të shkojnë te U21 apo te Kombëtarja A”.

Enis Berisha: “Atmosfera në grup ka qenë shumë e mirë. Kemi punuar shumë mirë me njëri – tjetrin.

Trajnerët janë duke na kuptuar shumë mirë, sikurse edhe ne ata dhe besoj se në grumbullimet tjera do të bëjmë punë edhe më të mirë. Është ndjenjë shumë e mirë ta veshësh fanellën e Kombëtares dhe besoj se do të vazhdoj kështu deri të arrij te Kombëtarja A”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat