Silvinjo është një hap përpara të tjerëve

Futboll

Silvinjo është një hap përpara të tjerëve

Më: 3 tetor 2024 Në ora: 17:19
Silvinjo

Silvinjo na ka befasuar gjithmonë në zbulimin e talenteve dhe nuhatjes së tij për futbollistët. Sigurisht që trajneri nuk është më Zoti i zbritur në tokë dhe i paprekshëm sic ishte në kualifikueset e Europianit, tani mund të kritikohet lehtësisht sa i përket zgjedhjeve të bëra dhe rezultateve.

Por ajo që nuk mund të vendoset në dyshim është nuhatja e tij sa i përket futbollistëve dhe pozicionit të tyre. Jasir Asani mban emrin e Silvinjos, Mario Mitaj është gjithashtu i tij, Mirlind Daku dhe Arbër Hoxha mbërritën po ashtu nga Silvinjo në Kombëtare, ndërsa Nedim Bajrami u tjetërsua te Shqipëria po pas ardhjes së Silvinjos.

Një shije të keqe la disi lista e shtatorit për shkak se nuk kishte asnjë befasi të bukur apo të madhe nga Silvinjo. Por edhe për shkak të hezitimit të madh për të rinovuar apo jo me Shqipërinë, kohës së shkurtër nga Europiani, trajneri kishte marrë pak kohë për të qetësuar veten. Tani i ka përveshur mëngët dhe po punon fort për afrimet e bujshme në Kombëtare.

Kur u pyet disa kohë më parë për Brajan Grudën, Silvinjo me batutë kërkoi që asnjë informacion të mos dalë dhe çdo gjë të mbahet sekret. Në fakt, nuk ishte edhe aq batutë. Silvinjo organizon mbledhje në zyrë me stafin e tij ku diskutojnë sa i përket afrimeve të reja te Shqipëria, ku mes tyre përfshihet edhe Brajan Gruda. Gjithashtu në këtë tryezë diskutohet edhe për listën e lojtarëve që do të ftohen nga Shqipëria.

Gjithmonë në të kaluarën, në kohën e Rejës, De Biazit, Panucit, media arrinin që të kishin akses në këtë listë dhe të merrnin emra prej atyre dhe për t’i publikuar për audiencën, por kjo nuk ndodh tani me Silvinjon. Çdo gjë që diskutohet në atë mbledhje jo vetëm që nuk publikohet në media, por nuk diskutohet me askënd tjetër përveç stafit të Silvinjos.

Duket qartë se trajneri jo vetëm kërkon profesionalizmin e plot, por njëkohësisht i frikësohet ndonjë lëvizje të Gjermanisë në rastin e Grudës apo shteteve të tjera sa i përket lojtarëve që Silvinjo ka piketuar. Edhe këtë herë të vetmet lajme që kanë qarkulluar sa i përket ftesës së Adrion Pajazitit dhe grumbullimit të Maldin Kacurrit, lidhen vetëm me një rrjedhje informacioni nga Shqipëria U-21 dhe jo nga Shqipëria A.

Të gjitha lajmet e tjera janë vetëm aludime gazetareske që shohin alternativat që janë nga lojtarët shqiptarë në rast dëmtimesh të ndonjë prej legjionarëve tanë. Kjo do të thotë se Silvinjo qëndron një hap para të tjerëve.

Kjo do të thotë se po punohet për Brajan Grudën dhe ndoshta afrimi i tij te Shqipëria do të jetë shumë më i shpejt në kohë nga çfarë e kemi pritur.

Mbetet të shihet të shihet nëse Kacurri do të jetë te Shqipëria A pas dëmtimit të Gjimshitit, ndërsa i konfirmuar është Adrion Pajaziti për listën e tetorit. Në çdo rast, lista e Silvinjos duhet të shihet me vëmendje të madhe pasi ndryshe nga më parë, çdo emër i ri që do të vijë te Shqipëria pikësëpari do të publikohet në listën zyrtare të Kombëtares dhe më pas në media dhe jo e kundërta, siç ka ndodhur në të kaluarën..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat