Frenkie de Jong bëri rikthimin e tij të shumëpritur në fushë në fitoren 5-0 të Barcelonës ndaj Jang Bojs, të martën në mbrëmje në Champions League.
Mesfushori holandez, i cili kishte disa muaj (5), ose më saktë 163 ditë që kishte munguar për shkak të dëmtimit në kavilje, u shfaq në pjesën e dytë të ndeshjes, duke u pritur me ovacione nga tifozët.
Pas ndeshjes, De Jong shprehu gëzimin e tij që luajti sërish: “Jam shumë i lumtur për fitoren dhe personalisht për rikthimin në fushë dhe për të luajtur futboll. Edhe tifozët më kanë duartrokitur ndaj më duhet t’i falënderoj shumë për këtë. Ka qenë një mbrëmje e lumtur për mua dhe për të gjithë ne”, deklaroi De Jong.
Më pas mesfushori i Barcelonës ka folur dhe për periudhën e tij pa aktivitet, duke e cilësuar si shumë të vështirë. “Kur lëndohesh gjithmonë e ke të vështirë dhe ka qenë një kohë e gjatë, një proces i vështirë dhe unë e kam pasur të vështirë ndonjëherë. Asnjëherë nuk është e lehtë, por sa më shumë kohë kalon jashtë fushave, aq më e vështirë bëhet. Por për fat gjithçka ka shkuar mirë dhe unë jam përsëri këtu me shokët e ekipit dhe gati për të dhënë pjesën time”, shtoi De Jong.
Tashmë që De Jong është kthyer, për trajnerin Flik do të ketë një alternativë më shumë në mesfushë. Megjithatë, njërit prej kapitenëve të Barcelonës do t’i duhet ta fitojë sërish vendin e titullarit. “Unë do të bëj pjesën time, do të punoj maksimalisht. Pastaj është trajneri ai që merr vendimin se kush luan titullar dhe kush e nis nga stoli. Rëndësi ka skuadra”, tha ai.