Egnatia në hall për mbrojtjen para Skënderbeut

Futboll

Egnatia në hall për mbrojtjen para Skënderbeut

Më: 3 tetor 2024 Në ora: 19:06
Egnatia

Ai dëmtim i pësuar në ndeshjen me Elbasanin ka rezultuar serioz për mbrojtësin e Egnatias, Arbenit Xhemajli. Futbollisti 26-vjeçar i rrogozhinasve ka dëmtuar ligamentin dhe do t’i duhet një kohë relativisht e gjatë për t’u rikuperuar.

Ky është një lajm i keq për trajnerin Edlir Tetova, sepse humbet për disa ndeshje një nga titullarët e prapavijës. Durrsaku ka luajtur vazhdimisht me 3 qendërmbrojtës dhe për një periudhë kohe do të ketë të gatshëm vetëm kapitenin Malota, Dylis dhe Alijev. Në ndeshjen me Partizanin kishte probleme edhe për Dylis, kështu që u tërhoq prapa mesfushori Albano Aleksi, i cili e ka bërë edhe më parë mbrojtësin për nevoja të skuadrës.

Mbetet për t’u parë saktësisht se sa kohë do t’i duhet Xhemajlit që të bëhet gati, por po të kemi parasysh llojin e dëmtimit, do të duhet më shumë se një muaj. Për ndeshjen e radhës me Skënderbeun pritet që të jetë i gatshëm Dylis, i cili gjithashtu vjen nga një dëmtim që e la jashtë sfidës me të kuqtë.

FANGAJ – Abdurrahman Fangaj është një tjetër lojtar i rëndësishëm me probleme fizike te kampionët në fuqi.

Edhe ai nuk luajti kundër Partizanit. Ishte i grumbulluar, por stafi teknik nuk preferoi të rrezikonte me shkodranin, pasi situata mund të përkeqësohej. Trajneri Tetova shpreson që ta ketë në dispozicion për transfertën e vështirë me Skënderbeun në Korçë.

Fangaj është një nga titullarët kyç në lojën e Egnatias dhe mungesa e tij u ndie jo pak në ndeshjen e fundit, ku rrogozhinasit humbën 0-2 në fushën e tyre. Mbrojtësi i djathtë e ndihmon shumë skuadrën si në lojën mbrojtëse, ashtu edhe në sulm me depërtimet e tij. Egnatia ka nevojë për këta lojtarë me peshë, duke parë edhe momentin e vështirë që po kalon në kampionat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat