Komisioni Disiplinor pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka shqiptuar dënimet ndaj Tikveshit, Bashkimit dhe Vardar Negotinës, pas incidenteve gjatë ndeshjeve të Ligës së parë dhe të dytë.
Tikveshi u dënua me dy ndeshje në shtëpi për shkak të incidentit me arbitrin në ndeshjen kundër Vardarit, të cilin skuadra e humbi gjithashtu me rezultat zyrtar 0-3. Ekipi nga Kavadarci ndeshjet e saja do t’i luajë 100 kilometra larg fushës së vet.
E njëjta gjë vlen edhe për Bashkimin dhe Vardarin e Negotinës pas incidenteve në ndeshjet me Bellasicën dhe GFK Ohrid, të cilët dy ndeshjet e tyre në shtëpi do t’i luajnë jashtë stadiumeve të tyre.
Bashkimi pas ndeshjes së kupës me Voska Sport, të cilën e luajti në Gostivar, i duhet që edhe ndeshjen e radhës me Pobedën ta luaj në këtë stadium. Në këtë dënim përfshihen edhe ndeshjet e Kupës së Maqedonisë së Veriut.