Pjesë e listës me 24 lojtarë që janë të grumbulluar për dy sfidat e këtij muaji është edhe Andi Hadroj. Mbrojtësi i Partizanit ia ka dalë sërish të sigurojë ftesën e trajnerit Sylvinho për duelin me Çekinë dhe Gjeorgjinë.
Për këtë Partizani ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku “krenohet” me lojtarin e tyre si i vetmi futbollist nga Superiorja. Klubi i kuq i uron Hadroj përfaqësim sa më dinjitoz me fanellën kuqezi.
Por përveç urimit për mbrojtësin, duket se klubi kryeqytetas nuk i di sktësisht se cilat janë dy sfidat që do të luajë Kombëtarja. Në postimin e tyre kanë shkruar se ekipi ynë do të përballet me Çekinë dhe Ukrainën, duke ngatërruar kështu emrin e kundërshtarit të kuqezinjve.
Kujtojmë se Shqipëria do të përballet me Çekinë më 11 tetor në orën 20:45 në “Epet Arena”, ndërsa 3 ditë më pas do të sfidojë po në transfertë Gjeorgjinë në orën 20:45 në “Mikheil Meskhi Stadium”.
“EKIPI KOMBËTAR
ANDI HADROJ PJESË E PËRFAQËSUESE KUQEZI
Andi Hadroj është përfaqësuesi i kuq në seleksionin e radhës të ekipit tonë kombëtar. Titullari ynë fal paraqitjeve të shkëlqyera ka bindur trajnerin e ekipit tonë kombëtar Sylvinho ta përfshijë sërisht në listën e të grumbulluarve për dy sfidat zyrtare ndaj Çekisë dhe Ukrainës, të vlefshme për ndeshjet e Ligës së kombeve.
Mbrojtësi 25 vjeçar do ti bashkohet ekipit kuqezi në 6 tetor, për të vijuar përgatitjet për sfidat që do të luhen në Pragë në 11 tetor dhe Tbilisi në 14 tetor.
Klubi i uron Andi Hadroj, një tjetër përfaqësim pozitiv me fanelën kuqezi", thuhet në postimin e Partizanit.