Nuhiu: Kam besim te Kenan Haxhihamza

Futboll

Nuhiu: Kam besim te Kenan Haxhihamza

Më: 4 tetor 2024 Në ora: 18:52
Ardian Nuhiu

Kryetrajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu, në konferencën për media para gazetarëve në prag të sfidës kampionale ndaj Dritës është shprehur optimist, pasi që grupi ka performuar lartë në seancat stërvitore dhe pret që një paraqitje të tillë ta shfaqin edhe në ndeshje.

Shefi i shtabit teknik theksoi rëndësinë e kësaj ndeshje, derisa potencoi se ka besim te grupi i lojtarëve të cilët ai drejton.

“Një ndeshje e veçantë për tifozët dhe një mundësi e mirë për futbollistët për të treguar karakter dhe personalitet.

Kemi analizuar kundërshtarin duke parë pikat e tyre, por normalisht që do të dalim edhe në lojën tonë të cilën jemi munduar ta përgatisim gjatë këtyre ditëve.

Kam besim të plotë që futbollistët do ta transmetojnë edhe në ndeshje”, theksoi fillimisht Nuhiu.

Ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtar. Tekniku i kuqebardhëve ka theksuar edhe njëherë tjetër që llogaritë do të bëhen në fund,

teksa ndeshjet e fundit të kampionatit mund të jenë përcaktuese për shumë gjëra.

“Gjithë fokusin dhe energjinë do të mundohemi ta përqendrojmë brenda vijave të fushës. Ndeshje e rëndësishme, por në asnjë moment vendimtare, sepse vendimtare do jenë ndeshjet e Prillit dhe Majit, pasi që mund të vendoset diçka më tepër”, tha Nuhiu.

Nuhiu kërkoi nga futbollistët e tij që ndeshjen e radhës ndaj Dritës t’i qasen me seriozitet maksimal, ashtu sikurse edhe në ndeshjen e kaluar ndaj Prishtinës, në të cilën rezultati nuk mungoi.

“Djemtë treguan karakter në ndeshjen e fundit ndaj Prishtinës.

Pavarësisht moskonkretizimit të rasteve dhe pësimit të golit, arritën të marrin lojën nën kontrollë dhe arritën ta rikthenin rezultatin.

Më vjen mirë për futbollistët që arritën ta fitonin ndeshjen.

Qasje të tillë nga futbollistët pres edhe në ndeshjen e nesërme. Pres luftë pakompromis. Pres që gjithsecili futbollist ta ndihmoj njëri tjetrin dhe ta arrijmë të festojmë në fund gjithë së bashku”, theksoi ndër të tjerash Nuhiu.

I pari i stolit të gjilanasve ritheksoi besimin e madh që ka te futbollistët e tij dhe mbetet i bindur që rezultatet janë në ardhje.

“Nga ndeshja në ndeshje po përmirësohemi, pavarësisht që na ka munguar rezultati. Kemi treguar ndeshje të mira, kemi shënuar në çdo ndeshje dhe kjo na jep sinjale që jemi në rrugën e duhur, megjithëse duhet pranuar që kemi ende për t’u përmisuar, pasi që këta futbollistë mund të tregojnë shumë më tepër”, tha Nuhiu.

Mungesa e tifozëve do jetë evidente për skuadrën, por Nuhiu është i bindur që mbështetja do të jetë gjithandej qyteti për të besuarit e tij.

“Nuk kam nevojë të gjej fjalë motivuese për këtë takim, pasi që vetë ndeshja të motivon dhe të mobilizon për të shkuar te më e mira e jotja. Mungesa e tifozëve normalisht që na penalizon, por ne ndjejmë mbështetje nga ta, pasi që e dijmë që po na ndjekin nga shtëpitë dhe nga kudo. Do të ishte një ndeshje e madhe nëse do të ishin prezent edhe tifozët tanë”.

Nuhiu në fund rikthesoi besimin që ka te futbollistët, derisa ka vënë në dukje edhe mbështetjen për futbollistin Haxhihamza, i cili mbetet njëri ndër portierët më të mirë në vend.

“Besoj shumë te potenciali i ekipit tim. Kemi përgatitur ndeshjen në mënyrën më të mirë dhe shpresojmë të nxjerrim më të mirën nga ana ynë”, tha ai për faqen e SC Gjilanit.

“Kam besim te Kenan Haxhihamza. Jo rastësisht në vitet e fundit ka qenë ndër portierët më të mirë në Kosovë dhe jo rastësisht ka qenë edhe i ftuar në ekipin kombëtar të Kosovës.

Jam i bindur se është karakter i fortë dhe se nuk do të sheh prapa, por vetëm para për të ndihmuar skuadrën. Ai ka mbështetjen e stafit dhe gjithë bashkëlojtarëve dhe jam i bindur që do të performojë mirë”, përfundoi Nuhiu.
Dueli ndërmjet Dritës dhe Gjilanit zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 15.00 në stadiumin ndihmës në Gjilan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat