Në derbin e shumëpritur ‘El Anamorava’, Drita është nikoqire e Gjilanit, në një sfidë ku statistikat shpesh nuk luajnë rol.
Bardhekaltërit kanë filluar sezonin më mirë, por në derbi gjithmonë pritet një ndeshje e paparashikueshme.
Të dyja skuadrat vijnë nga fitore të jashtëzakonshme. Drita mposhti Dukagjinin në Klinë me një paraqitje të sigurt, ndërsa Gjilani realizoi një rikthim mbresëlënës në shtëpi, duke mposhtur Prishtinën.
Kjo i jep kësaj ndeshjeje një rëndësi të veçantë, me të dyja ekipet që kërkojnë ta vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive.
Derbi fillon në orën 15:00 në fushën me bari sintetik në Gjilan, një fushë që ka krijuar shqetësime për shkak të numrit të madh të lëndimeve të lojtarëve në këtë terren.