Struga Trim Lum për fitore ndaj Vardarit

Futboll

Struga Trim Lum për fitore ndaj Vardarit

Më: 5 tetor 2024 Në ora: 12:53
Struga Trim Lum

E shtuna do të sjellë ndeshjen e 6-të brenda 20 ditëve për skuadrën e Struga Trim lum, që do të përballet me Vardarin në Shkup…

“Ndeshja kundër Gostivarit të dielën e kaluar ishte e 160-ta për Struga Trim Lum në kuadër të Ligës së Parë, aty ku po zhvillojmë sezonin e 6-të me radhë.

Dy tituj kampion në këtë periudhë nuk janë edhe për tu nënvlerësuar, ndaj duhet të shohim pozitivisht edhe në këtë sezon, që nuk nisi edhe aq mbarë, mirëpo i njëjti ka edhe shumë xhiro deri në fund, ashtu që si kampion në fuqi nesër kemi mundësi të mirë për të nisur një seri të fitoreve kundër Vardarit në Shkup.

Ekipi që të premten është vendosur në kryeqendrën tonë, aty ku po zotëron një kohë me shi. Gëzon fakti se ndeshjen e nesërme kundër Vardarit do ta zhvillojmë në arenën “Todor Proeski”, e ku kushtet realisht janë shumë më të mira, në krahasim me stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari, aty ku kishim zhvilluar ndeshjen e fundit në kuadër të edicionit të kaluar.

Ashtu sikurse edhe ndeshjen e fundit ndaj këtij kundërshtari, edhe nesër rolin e arbitrit kryesor do ta luaj Stojan Trpçevski.
Arbitri nga Kavadari nesër do na referojë për herë të 18-të. Më së shumti Stojan Trpçevski i ka referuar vetëm Shkëndijës dhe Makedonija Gj.P (20)

Mbrojtësi Besart Krivanjeva në takimin e nesërm kundër Vardarit pritet të regjstrojë ndeshjen e tij të 200 zyrtare në kuadër të Ligës së Parë.
Ai nesër pritet të regjistrojë dy jubile. Jubileun prej 200 ndeshjeve në Ligën e Parë të Maqedonisë dhe njëherit jubileun prej 50 ndeshjeve me fanellën e Struga Trim Lum.

Ndeshja e nesërme midis Vardarit dhe Struga Trim Lum do të jetë e 10 jubilare.

Deri më tani kundër Vardarit numërojmë 4 fitore, dy ndeshje janë mbyllur me barazime, derisa në 3 ndeshje fitues ka dalë skuadra shkupjane, që njëherit kishte regjistruar fitore në ndeshjen e fundit të zhvilluar në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari të Shkupit.
Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Strugë kemi regjistruar fitoren më të thellë ndaj Vardarit, 4:0, ndërsa disfatën më të thellë nga ky kundërshtarë e kemi pësuar në përballjen e parë zyrtare (0:3), të zhvilluar me 14 shtator të vitit 2019.

Atë edicion (2019/20), Vardari për herë të fundit ishte shpallur kampion, mirëpo në një edicion që nuk e pa fundin e saj, për shkak pandemisë”, shkruan në faqen e FC Struga Trim Lum.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat