Vardari i Shkupit e nisi me disfatë sezonin e ri, teksa u mposhtë në xhiron e parë në Strumicë nga AP Brera (3:1).
Fitorja që në xhiron e dytë ndaj Pelisterit solli pak buzëqeshje në radhët e “kuqezinjve” nga Shkupi, mirëpo që zgjati shumë pak, pasi për habit të shumë futbolldashësve në vend, Gorazd Mihajllov dha dorëheqje në postin e trajnerit vetëm pas dy xhirove të para.
Vendin e tij e zuri një legjendë e kësaj skuadre, Goce Petreski, që kishte punuar edhe në Akademinë e Vardarit, mirëpo i njëjti presionit të madh i mbijetoi vetëm dy ndeshje.
Nën udhëheqjen e tij Vardari pësoi dy disfata të rënda, 0:3 ndaj FC Shkupit në Çair dhe 1:3 ndaj Voska Sport në arenën “Todor Proeski”, aty ku këtë edicion kjo skuadër po i zhvillon ndeshjet e saja.
Pas shkarkimit të Petreskit, vendin e tij e zuri Srgjan Zaharievski, një emër i njohur për opinionin sportiv edhe këtu në Strugë, duke pasur parasysh se i njëjti udhëhiqte skuadrën tonë për gati tre vite të plota.
Me Zaharievskin në krye, Vardari në 4 ndeshje ka regjistruar një fitore, një barazim dhe dy disfata. Ndeshja e nesërme për të do të jetë e 5-ta në krye të Vardarit, ndërsa ekipin tonë e kishte udhëhequr në 87 ndeshje, më shumë se çdo kush tjetër deri më tani.
Ndeshja mes Vardarit dhe Struga Trim Lum luhet sot në orën 14.00.