Ky ishte formacioni i Shkëndijes që luajti baras në Kratovë

Futboll

Ky ishte formacioni i Shkëndijes që luajti baras në Kratovë

Më: 5 tetor 2024 Në ora: 23:53
Pamje nga ndeshja

Shkëndija e Tetovls ndalen me barazim pa gola në transfertën me Sileksin në Kratovë ku ndeshjen e mbyllëm me 9 lojtarë me “protagonist” arbitrin Stavrev që ndëshkoi me kartona të kuq Trumçin dhe Kocevin.

Sileksi- Shkëndija 0:0

]Stadiumi i qytetit në Kratovë
Arbitër: Aleksandar Stavrev (Shkup)
Kartona të kuq: Trumçi 56’ dhe Kocev 90’+2 (Shkëndija)
SILEKSI: Xhekov, Angjelevski (Grozdanovski 86’), Timovski (Rajkov 74’), Aliq (Koçoski 66’), Marong, Donov (Dodev 66’), Gjorgjievski (Jasharovski 86’), Eftimov, Braunoviq, Nikoliq, Shubert (c).
Trajner: Aleksandar Vasovski
SHKËNDIJA: Amzai, Trumçi, R. Ramadani, Cake, Ibraimi (c) (Latifi 87’), Ademi (F. Ramadani 76’), Ahmedi (Kocev 60’), Webster, Shala (Kërstevski 46’), Qaka (Alhassan 60’), Adili. 
Trajner: Jeton Beqiri.

Xhiroja e 9-të e Kampionatit të Maqedonisë së Veriut solli barazim 0:0 për Shkëndijën që nuk pati fat të fitonte Sileksin në Kratovë, ku sërish protagonizmin e mori referi Aleksandar Stavrev me disa vendime të diskutueshme, mes së cilave dy kartona të kuq për tanët.

Kuqezinjtë dominuan ndeshjen dhe ishin ekipi me shanset më të mira për gol, derisa rruga drejt fitores u shndërrua në “malore” pasi nga minuta e 56-të luajtëm pa Trumçin (karton i dytë i verdhë), derisa ndeshjen e mbyllëm me 9-të lojtarë (Kocev doli me të kuq në minutat shtesë). 

Sileksi zhvillon një sezon të mirë dhe mban pjesën e epërme të renditjes, mirëpo me qasjen ndaj lojës që në fillim sikur manifestonin respekt dhe kujdes në raport me kuqezinjtë tanë që vendosën autoritet në terren nga minuta e parë. Nxitjet e para erdhën pas minutës së 16-të kur Shala (Shkëndija) dhe Gjorgjioski (Sileksi) kishin nga një tentim të pasuksesshëm me kokë. Ahmedi (19’) solli tentim të ngjashëm si në rastin e golit të shënuar ndaj Vardarit xhiron e shkuar, mirëpo tani portieri 18 vjeçar i Sileksit, Xhekov, ishte i kujdesshëm dhe kontrolloi topin në duar. Rasti më serioz i pjesës së parë erdhi nga Shala (29’), por Xhekov kontrolloi goditjen e tij. Në anën tjetër Aliq provon të shënojë pak para pauzës, me Amzain që pret pa problem. 

Pjesën e dytë e nisëm me Kërstevskin që zuri vendin e Shalës, ndërsa kanosja e parë erdhi nga Donov (49’) që nuk gjen kuadratin. Në anën tjetër tanët zhvillojnë super aksion me Ahmedin e Trumçin, ndërsa Xhekov mrekullueshëm ndal tentimin e Ibraimit. U mendua se fituam rivënie këndore, por për befasi të të gjithëve arbitri Stavrev tregoi karton të dytë të verdhë për “simulim” nga Trumçi, duke na lënë me 10-të lojtarë në fushë.

Këtu duhej reagim nga bankina, Kocev hyri për të mbuluar krahun e djathtë të mbrojtjes dhe Alhassan (më vonë edhe F. Ramadani e Latifi) duhej të jepnin freski në lojë. Me epërsi numerike në terren Sileksi kishte posedimin e topit, por daljet e tanëve në kundërsulme sollën rastet më të mira. Ademi në minutën e 72-të nuk goditi si duhet në një situatë shumë të favorshme, pastaj Xhekov kontrolloi tentimin e F. Ramadanit (81’), derisa fati ishte me vendasit në minutën e parë shtesë kur e majta e fortë e Alhassanit i rrëshqiti nga duart Xhekovit, mirëpo topi sikur me magji shkoi mbi traun e portës dhe doli në këndore.

Në vazhdim Sileksi zhvilloi kundërsulm nga i cili mbetëm me 9 lojtarë, pasi arbitri Stavrev nxori me të kuq Kocevin, pas duelit me Dodevin. Mundësia e vetme më serioze e vendasve erdhi pikërisht nga kjo ndërprerje, mirëpo Amzai kontrollon goditjen e lirë të Jasharovskit për mbyllje të ndeshjes me shifrat e fillimit (0:0)”, ka njoftuar KF Shkëndija.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat