Kosova triumfon në turneun “UEFA Development” në Maltë! Nallbani krenar

Futboll

Kosova triumfon në turneun “UEFA Development” në Maltë! Nallbani krenar

Më: 6 tetor 2024 Në ora: 16:41
Kombëtarja e Kosovës U15

Kombëtarja e Kosovës U15 e ka përmbyllur me sukses turneun “UEFA Development” që u zhvillua gjatë kësaj jave në Maltë.

Pas fitoreve me Estoninë (2:1) dhe me Gjibraltarin (0:0, 4:3 në penallti) Dardanët U15 kanë shënuar fitore edhe kundër nikoqires së turneut, Maltës, me rezultat 1:0, duke siguruar pozitën e parë me 8 pikë.

Kosova e nisi shumë mirë ndeshjen kundër vendasve dhe radhiti disa raste. Fillimisht Eris Balaj, në minutën e 17-të tentoi golin, por gjuajtja e tij shkoi pak mbi traversë. Një tjetër mundësi të mirë e pati Dion Sylaj, në minutën e 23-të, por ishte portieri që evitoi golin. Eris Balaj ishte sërish kërcënues me një gjuajtje nga vija e 16-metërshit, por sërish portieri vendas ishte në nivel të detyrës.

Megjithatë, goli erdhi përfundimisht në minutën e 38-të Eris Balaj shfrytëzoi një asistim të Sylajt për ta dërguar topin në rrjetë. Në pjesën e dytë Malta e kërkoi golin e barazimit, por Kosova arriti ta menaxhojë mirë lojën deri në fund.

Përzgjedhësi Ilir Nallbani u shpreh i kënaqur me atë çfarë treguan futbollistët e tij në këtë turne. “Sigurisht që ne si ekip dhe staf jemi munduar që t‘i përzgjedhim lojtarët më në formë për këtë turne dhe në fund djemtë janë paraqitur shumë mirë. Në ndeshjen e parë me Estoninë kemi bërë një paraqitje jashtëzakonisht të mirë për këto nivele.

Edhe në ndeshjen e dytë kundër Gjibraltarit kemi dominuar plotësisht, por fituam pas penalltive, kurse në ndeshjen e fundit me Maltën ka qenë një ndeshje speciale. Djemtë kanë qenë të mjaft përgatitur në aspektin mental dhe na kanë dhuruar emocione.

Kemi pasur shumë raste dhe loja ka qenë e bukur. Kjo grupmoshë kur dalin jashtë shtetit kanë paksa vështirësi, gjë e cila është normale, por në fund ia kanë arritur t’i kryejnë detyrat siç duhet dhe të japin më të mirën në fanellën e Kombëtares së Kosovës. Jam shumë i kënaqur, së bashku me stafin, që kemi kaluar një periudhë shumë të mirë dhe djemtë me meritë kanë fituar tri ndeshje dhe e kanë zënë vendin e parë”, tha Nallbani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat