​Pajaziti dhe Ajeti të bindur në suksesin e Shqipërisë në dy ndeshjet e radhës

Futboll

​Pajaziti dhe Ajeti të bindur në suksesin e Shqipërisë në dy ndeshjet e radhës

Më: 7 tetor 2024 Në ora: 16:45
​Pajaziti dhe Ajeti

Kombëtarja shqiptare nis zyrtarisht këtë të hënë përgatitjet për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Çekisë (Epet Arena, 11 tetor, ora 20:45) dhe Gjeorgjisë (“Mikheil Meskhi” 14 tetor, ora 18:00). Në konferencën e sotme për media dolën dy futbollistët kuqezi, Adrion Pajaziti dhe Arlind Ajeti.Adrion Pajaziti, mesfushori kuqezi i cili është ftuar rishtaz me Kombëtaren A nga trajneri Silvinjo u shpreh i lumtur dhe shumë krenar që ka marrë ftesën për të qenë pjesë e ekipit në këtë grumbullim. Djaloshi shqiptar tha se ndihet gati për të dhënë kontributin e tij me Kombëtaren dhe ka besim te vetja dhe cilësitë e tij. Pajaziti nënvizoi gjithashtu se ka ëndërr që të kualifikohet me Shqipërinë në Kampionatin Botëror, ndërsa tregoi edhe idhujt e tij kuqezi.

A është gati Pajaziti për Kombëtaren? – Besoj që jam shumë gati pasi jam në formë të mirë. Kam pasur një parasezon shumë të mirë me Fulham. Kam luajtur ndeshje dhe kam shënuar gola. Tani kam kaluar në huazim në Kroaci, jam në formë të mirë fizikisht dhe kam shumë besim tek vetja. Po të më jepet shansi, jam gati.

Pozicioni? – Jam mesfushor ofensiv. Kam luajtur edhe si 6-sh, 8-sh, por kudo që trajneri mendon që mund të bëj impakt, aty do të luaj.

Ku ishit dhe si reaguat kur morët ftesën nga Kombëtarja – Fola me mamin direkt kur mora vesh për ftesën dhe më pas me babin. Kanë qenë të gjithë të lumtur dhe krenar në atë moment.

A ndikoi dygolëshi me Zvicrën për ftesën? – Duhet të pyes trajnerin për të ditur arsyen pse më zgjodhi. Ka qenë një ndeshje e mirë jo vetëm nga unë por nga të gjithë lojtarët. Kur shënon dy gola sigurisht që është një moment i mirë dhe besoj se jo vetëm ajo ndeshje, por edhe formën që jam duke kaluar te klubi, besoj se kanë ndikuar.

Pajaziti, Demollari i ri? – E kam shikuar në Youtube. Është legjendë e Shqipërisë dhe ndihem mirë kur dëgjoj këto komplimente. Do të tentoj dhe unë të bëhem një legjendë si ai.

Idhulli në Kombëtare dhe në skenën ndërkombëtare – Në kombëtare më pëlqen si luan Asllani dhe Bajrami. Janë lojtarë teknikisht të mirë dhe mesfushorë si unë.

Mund të kombinohemi mirë. Jashtë kombëtares kam ndjekur që i vogël Modriç, lojtar me cilësi shumë të mira.

Nga Shpresat te ekipi A, do të jetë e vështirë për t’u integruar? – Nuk do të jetë e lehtë, por jam gati. Kam besim te vetja, edhe çunat më kanë pritur dhe më kanë bërë të ndihem mirë. Mezi pres të nis stërvitjen.

Çfarë synon të arrish me Kombëtaren? – Dua që të tregoj veten dhe të marr sërish ftesën. Të jem lojtar i afirmuar në Kombëtare dhe në terma afatgjatë dua që të kualifikohemi në Botëror.

Arlind Ajeti komentoi dy kundërshtarët e radhës të Kombëtares në Nations League dhe u shpreh se janë ndeshje të forta, por që Shqipëria do të synojë pikët maksimale. Mbrojtësi kuqezi foli për rrugëtimin në Kombëtare dhe eksperiencën e Europianit, si edhe komentoi mungesën e kapitenit Gjimshiti. Përsa i përket konkurrencës në mbrojtje, Ajeti tha se është shumë i lumtur për performancën pozitive të shokëve të ekipit dhe shtoi se për formacionin vendos vetëm trajneri Silvinjo.

Gjendja e ekipit dhe synimi në dy ndeshjet e tetorit? – Është akoma herët për të fol për ekipin, sepse ende nuk janë bashkuar të gjithë lojtarët. Kemi kualitet dhe mund t’ia dalim ndaj çdokujt, por nuk do të jetë e lehtë. Gjithashtu, i dimë cilësitë e Çekisë me të cilën kemi luajtur 2 herë kundër. Gjeorgjia dihet, ka një kualitet shumë të lartë dhe luajnë një futboll shumë të shpejtë dhe të shohim si do ia dalim, por kam shumë besim.

E keni analizuar Çekinë? – Nuk e kemi bërë ende analizën, pasi nuk kanë mbërritur akoma të gjithë lojtarët. Me stafin dhe trajnerët do përgatitemi sa më mirë, nuk do të jetë e lehtë me Çekinë pasi do të luajmë edhe në vendin e tyre, por kam besim që do t’i marrim tre pikët.

Superliga turke? – Më duket shumë mirë Superliga turke, por nuk krahasohet me Europianin apo ndeshjet e Kombëtares. Ndeshjet e Kombëtares janë gjithmonë të lidhur me emocione dhe në Europian janë akoma më të veçanta.

A mendon se mund të bëje diçka ndryshe në rrugëtimin tënd me ekipin Kombëtar? – Unë besoj që shumë herë nuk kam qenë pjesë e Kombëtares se kam pasur lëndime, apo zgjidhja e klubin nuk ka qenë e mire. Por, sa herë kam ardhur kam qenë i gatshëm për të luajtur me shpirt dhe zemër për fanellën. Gjithmonë mund të bësh më mirë, por jam i kënaqur deri këtu dhe shpresoj që të kemi akoma më shumë sukses.

Ndeshja me Çekinë është vendimtare? – Çdo ndeshje do të jetë vendimtare, edhe me Çekinë dhe me Gjeorgjinë. Të shohim ndeshjen e parë, të mundohemi të marrim një rezultat të mirë dhe më pas të vazhdojmë me Gjeorgjinë.

Sa e vëshitrë do të jetë për Kombëtaren mungesa e Gjimshitit? – Gjimshiti do të jetë mungesë e madhe për ne si lojtar dhe person, se ka fjalë të mira për të gjithë lojtarët dhe të rinjtë. Përsa i përket formacionit e di trajneri dhe të gjithë do të jemi gati. Nuk ka rëndësi kush luan, rëndësi ka vetem të fitojë Kombëtarja.

Sa i kanë shërbyer tre ndeshjet e Europianit Kombëtares? – Besoj që ndeshjet e Europianit japin një impakt të madh tek lojtarët dhe sjellin eksperiencë të madhe. Të gjithë lojtarët e ëndërrojnë të përjetojnë emocionet e një Europiani dhe kemi qenë me fat që kemi marrë pjesë në Europian. Kemi bërë paraqitje të mira dhe ndeshjet në Nations League janë më ndryshe. Shpresoj që eksperienca që kemi marrë në Europian do të na ndihmojë për këto dy ndeshje.

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të fituar dy ndeshjet e radhës? – Cilësitë i kemi për të dalë si fitues, duhet të bëjmë maksimumin, të shtrytëzojmë cilësitë tona dhe të besojmë se janë dy ndeshje shumë të vështira. Unë kam shumë besim.

Mungon Gjimshiti, por mbrojtja po ecën mirë. Do ketë ngacmime mes teje, Ismajlit dhe Kumbullës? – Nuk do të ketë ngacmime se jemi shumë mirë mes njëri-tjetrit. Jam shumë i lumtur që të gjithë e kanë filluar sezonin mirë. Sa më mirë të paraqitemi me klubet tona do të jetë një konkurrencë e fortë në Kombëtare. Jam i lumtur për të gjithë lojtarët dhe që kanë performanca pozitive, por këtë e vendos trajneri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat