Trajneri i Spanjës ankohet

Futboll

Trajneri i Spanjës ankohet

Më: 10 tetor 2024 Në ora: 11:35
Luis de la Fuentes

Luis de la Fuentes i ka mjaftuar diçka më pak sesa dy vjet për t’u bërë personazh dhe legjendë te Spanja.Që pas marrjes së detyrës si trajner i “La Roja”-s pas përfundimit të Botërorit 2022 dhe largimit të Luis Enrikes, ai i ka dhënë dy trofe Spanjës, Ligën e Kombeve në vitin 2023 dhe pak muaj më parë, në korrik të këtij viti titullin e katërt kampion në Europë.

Por pavarësisht kësaj, trajneri i Spanjës vazhdon të mbetet me një kontratë të vjetër, atë që kishte me ekipin spanjoll U-21 dhe kjo natyrisht që nuk i ka pëlqyer aspak. Ai ka përfituar nga intervista e tij në “El Larguero” në rrjetin “SER” për të përligjur pozicionin e tij në krye të kombëtares spanjolle dhe për të shprehur mërzinë e tij për situatën kontraktuale me federatën e futbollit të këtij vendi.

KONTRATA DHE RINOVIMI – “Nuk është normale që një kampion Europe të jetë pa kontratë. Nuk e di nëse do të kishte ndodhur e njëjta gjë me Luis Enriken… nuk është normale. Unë kam pasur disa oferta dhe kjo është normale besoj. Ajo që nuk është normale është se kampioni aktual i Europës është pa kontratë dhe nuk e di nëse ka ndodhur ndonjëherë në histori… Kam të njëjtat kushte që kisha në kontratën me kombëtaren U-21. Do të kishte qenë e drejtë sikur të kisha nënshkruar tani”, u ankua De la Fuente.

DËMTIMET – “Mesatarisht ne luajmë 1 ndeshje në muaj. Nga korriku në mars luajmë 6 ndeshje në 8 muaj. Problemi nuk janë ato gjashtë por 70 të mëparshmet. Përgjegjës janë ata që koordinojnë sezonet, lojtarët janë viktimat Nëse e di që më duhet të menaxhoj 70 ndeshje, mund t’i menaxhoj ndryshe… nuk kanë faj trajnerët, ne jemi viktima të kësaj situate”.

KARVAHAL DHE RODRI – “Ata janë të pazëvendësueshëm, sepse janë më të mirët në pozicionin e tyre”.

DOKUMENTARI I LUIS ENRIKES – Trajneri i Spanjës ka komentuar dhe dokumentarin e ish-trajnerit të Spanjës, Luis Enrike, dhe diskutimet e tij me Mbape në dhomat e zhveshjes së Paris SG-së. De la Fuente ka shprehur mos dakordësinë e tij për nxjerrjen në publik të të tilla diskutimeve në dhomat e zhveshjes. “Nuk e kam parë as nuk do ta shoh. Biseda si me Mbape? Ajo që nuk do të bëja është t’i transmetoj dhe t’i nxjerr në publik bisedat e mia private me lojtarët. Nëse një bisedë është private, është private. Nuk më pëlqen”.

JAMAL – “Edhe nëse ia lidhin këmbët, ai do ta gjejë një zgjidhje, një mënyrë. Është lojtar shumë i mirë. Ka një projeksion të shkëlqyer dhe mundësi të mëdha për të lënë gjurmë. Të gjithë në moshën e tij kemi qenë shumë të mirë, por askush nuk e kishte këtë shtysë dhe këtë prekje të topit që ka ai. Edhe pse një fëmijë në moshë, ai reflekton pjekuri dhe përcjell qetësi. Lojtarë të tillë bëjnë gjëra të paimagjinueshme me thjeshtësi. Jam shumë i kënaqur që ai dhe Niko Uilliams janë miq të ngushtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat