Veliaj: Edhe pse është rregulluar, të kujton “Qemal Stafën”

Futboll

Veliaj: Edhe pse është rregulluar, të kujton “Qemal Stafën”

Më: 10 tetor 2024 Në ora: 11:45
Pamje

Ka qenë vetë kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj që bëri të ditur një lajm të tillë nga foltorja e këshillit Bashkiak. “’Selman Stërmasi’ edhe pse është rregulluar, parkimi i bashkisë funksionon, është pastër prapë të kujton ish ‘Qemal Stafën e vjetër’. Sado që ne u munduam ta animonim këtë verë me koncerte, me aktivitete, cirk prapë është një ndërtesë nuk i rri Tiranës së kësaj kohe dhe e ka aktivitetin ose të limituar ose të sforcuar.

Dhe ka ardhur koha që të ketë fatin e ‘Arenës Kombëtare’, i cili është mbushur me jetë. Ashtu siç bëmë me ‘Arenën Kombëtare’ që bulon nga jeta dhe është bërë një super pol ekonomik në njësinë 2 ashtu do të bëjmë edhe me ‘Selman Stërmasi’ në njësinë 5 për t’i dhënë edhe atij poli një realitet të ri me agjencinë shqiptare të investimeve.

Kështu që me këtë dakordësi i hapim rrugë që të fillojë një konkurs për dizajnin edhe termat financiarë të një hapësire që i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë si arena ndërkombëtare mos më mirë se kemi mësuar nga çdo projekt, për t’i bërë gjërat më mirë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës. “Selman Stërmasi”, që aktualisht është në përdorim nga klubi i futbollit Tirana, shumë shpejt pritet të shembet për t’i lënë vendin një projekti të ri, që përfshin edhe një impiant modern futbolli. Rijetëzimi i “Selman Stërmasit”, ka kohë që diskutohet dhe tani po bëhet realitet. Bashkia ka hartuar një relacion që përfshin edhe aneksin e stadiumit, një fushë pranë tij të pashfrytëzuar, me një sipërfaqe totale prej 27.446 m2 që do kthehet në një mundësi për zhvillimin e pasurive të paluajtshme në funksion të përforcimit të infrastrukturës urbane dhe sportive në Shqipëri.

IMPIANTI – Stadiumi “Selman Stërmasi”, që njihet ndryshe edhe stadiumi “Dinamo”, është ndërtuar në vitin 1955 dhe është rikonstruktuar për herë të parë dhe të fundit në 2015-ën nga KF Tirana. Prej disa muajsh, për shkak të amortizimit, aty nuk luhet më futboll, por përdoret vetëm për koncerte. Bashkia duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me klubin Tirana për projektin, pasi bardheblutë e kanë në përdorim stadiumin të paktën edhe për 4 vite të tjera.

PROJEKTI I VJETËR – Vetë klubi Tirana kohë më parë ka pasur një plan për ndërtimin e stadiumit. Nëse në “Air Albania” janë 22 mijë vende të ulura, në “Selman Stërmasi” mendohej të ishin 14 mijë vende të ulura. Një stadium, goxha i madh, që i shtohen 6 mijë vende nga kapaciteti ekzistues. Të shohim se si do të jetë projekti i ri. Diskursi i muajve të fundit në Tiranë u vërtetua. “Selman Stërmasi” do të shembet, ndërkohë që zona rreth stadiumit do të ridimensionohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat