Szczesny: Nuk mund t’i thosha jo Barcelonës

Futboll

Szczesny: Nuk mund t’i thosha jo Barcelonës

Më: 10 tetor 2024 Në ora: 15:46
Wojciech Szczesny

Wojciech Szczesny e ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin spanjoll “Mundo Deportivo”, duke folur mbi të gjitha për rikthimin e tij në fushën e blertë, pak muaj pas pensionimit nga futbolli, përcjell “Gazeta Express”.

Së fundmi, ai iu bashkua Barcelonës, e cila e angazhoi ish-portierin e Arsenalit dhe të Juventusit në vend të Andre Ter Stegen, i cili e pësoi një lëndim të rëndë.

“Është një histori mjaft e çuditshme sepse një ditë para se të lëndohej Ter Stegen, isha i sigurt 100% se do t’i thosha jo cilitdo ekip. Por, kur më thirri Barcelona, kur u bë reale oferta, ishte një ndjenjë ndryshe.

E shikova gruan time duke shpresuar që do të thoshte thjesht: ‘mos e bëj’. Por, nuk isha në gjendje t’i thosha ‘jo’ Barcelonës. Historia e klubit dhe privilegji që e ndien duke e veshur këtë fanellë është ajo që më bëri që ta ndryshoja vendimin, asgjë tjetër. Nuk besoj se do ta bëja për dikë tjetër. Ndoshta ishte e shkruar”, deklaroi portieri polak.

A kishte biseduar më herët me gjigantin katalunas?

“Kurrë, sepse nuk jam portier tipik për Barçën. Megjithatë, sa herë që luaja kundër Barçës, ndjenja ishte ndryshe nga cilado ndeshje tjetër. E di se çka do të thotë të jesh rival dhe kjo është e frikshme. Tash mund ta zbuloj se çka do të thotë të jesh një lojtar i vërtet i Barcelonës”, vazhdoi ai.

A e ka bindur Lewandowskit që t’i kthehet futbollit dhe t’i bashkohet Barcelonës?

“Ai ishte i pari që më thirri dhe më tha: ‘shiko, nëse do të ekzistonte një mundësi, do të ktheheshe nga pensioni?’ Dhe, më pas i fola unë dhe nuk arritëm askund. Mund të them se gruaja ime ishte më përcaktuesja dhe më me ndikim në këtë rast, por nuk mund të them se vendosi vetëm një person”, përfundoi Szczesny..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat