Struga Trim Lum, Shkëndija dhe Rabotniçki pjesë e Asamblesë së 31-të, të Përgjithshme të Asociacionit të Klubeve Evropiane – ECA në Athinë

Futboll

Struga Trim Lum, Shkëndija dhe Rabotniçki pjesë e Asamblesë së 31-të, të Përgjithshme të Asociacionit të Klubeve Evropiane – ECA në Athinë

Më: 11 tetor 2024 Në ora: 10:03
Pamje

Nga data 8 deri me 10 tetor, në Athinë të Greqisë u mbajt Asamblea e Përgjithshme të Asociacionit të Klubeve Evropiane (ECA).

Në të njëjtën morrën pjesë edhe përfaqësues të klubeve nga Maqedonia, si Struga Trim Lum, Shkëndija dhe Rabotniçki.

Kampionët e vendit në këtë asamble ishin të përfaqësuar nga Presidenti Arbtrim Qyra dhe Sekretari i Përgjithshëm, Miftar Shaqiri-Tali, Shkëndija u përfaqësua nga Erblir Luma dhe Mensur Gjura, ndërsa skuadra shkupjane e Rabotniçkit, me Nenad Popovski.

Në hapje të asamblesë, të gjithë përfaqësuesit e klubeve u mirëpritën nga Kryetari i ECA-s, Nasser Al-Khelaifi, i cili vuri theksin në përparësitë dhe sfidat që i presin klubet evropiane.

Në rend të ditës ishin çështje kyçe si përditësimi i garave të klubeve, raporti i administratës së ECA-s, zgjedhjet për bordin e ECA-s, miratimi i llogarive për vitin 2023/24, financimi i periudhës 2024-2030, buxheti për vitin 2024/25 dhe emërimi i auditorëve për këtë periudhë.

Gjithashtu në këtë Asamble, Asociacioni i Klubeve Evropiane (ECA) dhe UEFA vazhduan bashkëpunimin e tyre deri në vitin 2033. Në ceremoninë e nënshkrimit, kryetari i ECA-s, Nasser Al-Khelaïfi dhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, rikonfirmuan bashkëpunimin e vazhdueshëm që ka mbështetur zhvillimin, stabilitetin dhe suksesin e futbollit evropian të klubeve për më shumë se 15 vjet.

Në këtë Asamble, përveç Al-Khelaïfi dhe Çeferin, të pranishëm ishin edhe Presidenti i Konfederatës Afrikane të Futbollit, Patrice Motsepe, Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafström, Presidenti i Ligave Evropiane, Pedro Proença, përfaqësues nga Komisioni Evropian, përfaqësues të FIFPRO, shumë legjenda të futbollit, si dhe përfaqësues të ekipeve të ndryshme nga Europa, përfshirë këtu edhe klubet nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova.

Nga Shqipëria morrën pjesë përfaqësues të Vllaznisë së Shkodrës dhe Skënderbeut nga Korça, ndërsa nga Kosova, përfaqësues të KF Llapit, Malishevës dhe Dritës së Gjilanit.

Pjesë e kësaj Shoqate të Klubeve Evropiane (ECA), aktualisht janë plotë 717 klube nga gjithsej 55 vende të Europës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat