​2 Korriku synon raundin e tretë të Youth League

Futboll

​2 Korriku synon raundin e tretë të Youth League

Më: 13 tetor 2024 Në ora: 11:22
Foto ilustrim

kuadra e U19 e “2 Korrikut” ka bërë histori duke u kualifikuar në raundin e dytë të UEFA Youth League. Ata eliminuan rivalët e tyre shqiptarë, Bylisin, me rezultat të përgjithshëm 4-2.

Në raundin tjetër, skuadra kosovare do të përballet me skuadrën irlandeze UCD, derisa ballafaqimi i parë zhvillohet më 23 tetor. Deri te ky sukses trajneri Labinot Haziri thotë se erdhi si rezultat i punës së palodhshme të lojtarëve.

Labinot Haziri: Fuqia e grupit dërgon drejt sukseseve

“Pas lojës së parë në “Elbasan Arena” gjasat dhe besimi te ekipi veç është rritur edhe po besoj që emocionet janë menaxhuar në mënyrën më të mirë se sa në ndeshjen e parë edhe kemi qenë më të sigurt që do të paraqitemi më mirë së në lojën e parë... Grupi i futbollistëve, stafi që bashkëpunoj me ta edhe ky është suksesi, sepse si individ nuk mund të ecësh në nivele më të larta”, tha Haziri.

Madje Haziri është i bindur se ky sukses do të vazhdojë edhe më tutje pasi që synimi është që të kalohet edhe raundi i dytë në këtë garë.

Haziri: Presim kualifikimin në raundin e ri

“Kemi siguruar materiale për video-analizën për kundërshtarin me të cilin do të ballafaqohemi. Nuk e di, mënyra e futbollistëve, si do të jetë gjendja fizike e tyre, sepse ne i kemi edhe dy xhirot e kampionatit të Kosovës që do t’i zhvillojmë para ndeshjes në Evropë. Nëse jemi të kompletuar, pa lëndime të tjera, atëherë besoj se do ta kalojmë”, tha Haziri.

Si pikë vendimtare të këtij suksesi, futbollisti Venis Havolli e cilëson punën e jashtëzakonshme të trajnerit Labinot Haziri.

Havolli: Trajneri - njeriu kryesor i suksesit të 2 Korrikut

“Suksesi erdhi për shkak të punës së vazhdueshme për të cilën kemi punuar shumë në grup dhe normalisht pas çdo pune që bëhet, mund të vijë edhe suksesi, andaj edhe nuk kemi qenë shumë të befasuar për suksesin që ka ardhur... Trajneri është roli kyç në ekip, i cili e bën motivimin dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve që ka ekipi në reparte të lojës”, deklaroi Havolli.

I bindur se “2 Korriku” do ta kalojë edhe raundin e dytë, është shprehur futbollisti Daris Gashi.

Gashi: Jemi gati për raundin e radhës

“Sipas përgatitjeve mendoj që e kemi arritur këtë dhe e kemi pritur që ta arrijmë dhe mendojmë që të arrijmë edhe më shumë në këtë kompeticion...Mendojmë që do ta kalojmë edhe raundin tjetër sepse jemi një ekip shumë i fortë dhe jemi përgatitur edhe për këtë lojë edhe për kampionatin e Kosovës, por mendoj që do të arrijmë që ta kalojmë...Pika kryesore është trajneri sepse është një trajner i jashtëzakonshëm dhe na ka ndihmuar shumë me futboll dhe me gjithçka dhe mendoj se për shkak të kësaj do ta kalojmë edhe fazën e dytë”, tha Gashi.

Ndeshjen e parë kundër UCD, “2 Korriku” do të zhvillojë si vendas më 23 tetor, ndërsa atë të kthimit në udhëtim më 6 nëntor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat