Kombëtarja e Kosovës vazhdon përgatitjet

Futboll

Kombëtarja e Kosovës vazhdon përgatitjet

Më: 13 tetor 2024 Në ora: 14:21
Kombëtarja e Kosovës

Pas fitores së merituar ndaj Lituanisë në Kaunas, Kombëtarja e Kosovës i është rikthyer sot stërvitjeve.

Në këtë seancë morën pjesë futbollistët që u aktivizuan si zëvendësues gjatë ndeshjes së djeshme dhe ata që nuk patën minuta në fushë. Ndërkohë, futbollistët titullarë u përqendruan në rigjenerimin e tyre në hotel për të qenë në formën më të mirë për përballjen e radhës.

Stërvitja e sotme ishte mjaft e suksesshme, me një atmosferë pozitive dhe entuziazëm të dukshëm tek lojtarët, të cilët punuan me përkushtim dhe energji të lartë, të motivuar nga fitorja e fundit.

Përzgjedhësi Franco Foda, duke pasur parasysh numrin e kufizuar të futbollistëve në këtë seancë, punoi në disa aspekte të veçanta të lojës, për të përgatitur ekipin në mënyrën më optimale.

Kombëtarja do të zhvillojë nesër stërvitjen e fundit për këtë grumbullim, përpara se të përballet me Qipron të martën, në orën 20:45.

Pas stërvitjes, Florent Hadërgjonaj dhe Fisnik Asllani, të cilët u aktivizuan si zëvendësues në ndeshjen ndaj Lituanisë, ndanë mendimet e tyre rreth paraqitjes së ekipit në Kaunas, por edhe për pritjet e tyre në ndeshjen e ardhshme.

Të dy lojtarët shprehën besimin e plotë për një tjetër fitore, duke nënvizuar se ekipi është i gatshëm dhe i motivuar për të siguruar tri pikë të tjera ndaj Qipros.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat