Besart Ibraimi i siguroi fitoren Shkëndijës në miqësoren ndaj Arsimit

Futboll

Besart Ibraimi i siguroi fitoren Shkëndijës në miqësoren ndaj Arsimit

Më: 13 tetor 2024 Në ora: 17:19
Pamje nga ndeshja

Ndeshje e bukur me 7 gola rezultoi miqësorja ndërmjet Shkëndijës dhe Arsimit të Çegranit, ku në fund fitores iu gëzua skuadra “kuqezi” nga Tetova me rezultatin 4:3, duke iu falënderuar goleadorit Besart Ibraimi.

Ishin futbollistët e Arsimit nga  Çegrani që kaluan të parët në epërsi falë golit debutues me fanellën “verdhezi” të Lutfi Bilallit. “Kuqezinjtë” u kundërpërgjigjën në minutën e 28-të me Latifin që konvertoi në gol penaltinë e fituar pas aksionit të bukur të Jakupit dhe Shalës.

Në minutën e 37-të Shkëndija për herë të parë kaloi në epërsi në këtë ndeshje (2:1), kur Shala ndëshkon gabimin e portierit Islami, derisa rezultati i pjesës së parë 3:1 u vendos nga Jakupi në minutën e 44-të pas një super aksioni të ndërtuar nga Jakupi, Latifi dhe Shala.

Fraksioni i dytë solli zëvendësime në të dyja taboret, derisa më mirë e nisën “verdhezinjtë” që gjetën dy gola për barazim 3:3 deri në minutën e 74-t. Ish-lojtari i Shkëndijës, Shefit Shefiti realizoi gol të bukur në minutën e 54-të, duke ngushtuar epërsinë në 3:2, derisa 20 minuta më pas Amin Shaqiri vendosi barazpeshë në rezultat.

Shifrat përfundimtare Shkëndija 4, Arsimi 3 i vendosi Besart Ibraimi në minutën e 89-të kur doli i vetmuar para portierit kundërshtarë, kjo falë edhe gabimit të mbrojtjes së çegranasve.

Dy ekipet kështu plotësuan mungesën e ndeshjeve kampionale shkaku i pauzës ndërkombëtare, dhe të gatshme presin sfidat e rradhës në futbollin vendor, që i presin fundjavën e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat