Testi i Besës

Futboll

Testi i Besës

Më: 15 tetor 2024 Në ora: 13:49
Besa

Besa nuk ka preferuar të zhvillojë takime miqësore në ndërprerjen e kampionatit. Kjo, për arsye se disa titullarë të kishin nevojë të rikuperoheshin, por edhe frika për ndonjë dëmtim të mundshëm.

Trajneri  Mirel Josa ka ruajtur të njëjtin formacion që nga java e parë, duke besuar fort në aksiomën se ekipi fitues nuk ndërrohet.

Kavajasve u duhet të ruajë kreun edhe pas transfertës së vështirë në Shijak, por më parë luajnë në Kupë, që konsiderohet si një mundësi e mirë për të parë e testuar në rast nevoje e situatash të gjithë kontingjentin e lojtarëve, që trajneri Josa ka në dispozicion.

Dihet se përveç Erduan Ibrahimit, e turkut Mert Kurt, sulmi kavajas nuk ka të njëjtin luks. Ndryshe paraqitet kontingjenti në prapavijë, duke nisur nga porta, por edhe mesfusha. Këtu, në dispozicion të Josës janë nga portieri Ahmetaj, por edhe mbrojtësit Perja, Kapo, Ramilli mbeten alternativa jo pa përvojë.

Mesfusha gjithashtu ka mjaft konkurrencë, ku Nkube, Gjinaj, Aleksandre, Deliu, Meçja presin shansin për të dëshmuar vlerat që kanë. Prandaj, ndeshja e nesërme e Kupës ndaj Tërbunit do të shfrytëzohet nga Josa për të parë gjendjen e secilit.

Nuk dihet nëse Josa do të aktivizojë të gjithë lojtarët e stolit, apo do ketë një gërshetim mes titullarëve dhe alternativave. Ajo që dihet me saktësi, është fakti se Besën e pret në javën e tetë një tjetër trasnfertë jo e lehtë në Shijak të dielën.

E vetmja mungesë e konfirmuar ndaj Erzenit, mbetet ajo e Jurgen Goxhës, që konsiderohet si tepër e rëndësishme duke parë paraqitjet e futbollistit në 7 javët e para. Ai jo vetëm mbetet “komandant” i prapavijës, por golashënues dhe rrezik permanent për çdo mbrojtje kundërshtare, kryesisht në luftën në ajër.

Trajneri Josa nuk ka dashur të nënvlerësojë aspak Kupën, teksa deklaroi se e çmon njësoj si kampionatin. Nesër Besa do të luajë ndaj Tërbunit në Kupë, por me mendje do të jetë tek ballafaqimi i fundjavës me Erzenin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat