Situata e Skënderbeut

Futboll

Situata e Skënderbeut

Më: 15 tetor 2024 Në ora: 16:12
Skënderbeu

Skënderbeu e mbyll fazën e parë të kampionatit në Ballsh, ku ndeshet me Bylisin, në këtë moment rival direkt në luftën për mbijetesë në Superiore, me korçarët 2 pikë para mallakastriotëve. Në një situatë të tillë, për skuadrën e trajnerit Ivan Gvozdenoviç do të ishte mirë edhe barazimi kundër Bylisit ditën e diel.

Pika do të kishte vlerë për momentin, duke ditur që korçarët vijnë pas dy humbjesh radhazi dhe gjendja psikologjike nuk është ajo më e mira. Me një barazim të mundshëm, Skënderbeu do të mbante prapa Bylisin në renditje, duke shmangur kështu presionin që sjellin dy vendet e rënies direkt nga kategoria. Bylisi është një kundërshtar mjaft i fortë, edhe pse qëndron në vend të parafundit.

Korçarët kanë nisur dje përgatitjet për këtë sfidë me bindjen se i pret një 90- minutësh mjaft delikat.

Trajneri Gvozdenoviç vazhdon të ketë mungesa në grup, pasi Janaqi dhe Rashica janë ende me Kombëtaren U-21, që luan sot ndeshjen e radhës. Bashkë me ta ishte edhe Nikaj, por shkodrani la grumbullimin për dëmtim, duke krijuar jo pak shqetësim te numri 1 i stolit bardhekuq, pasi ai është një titullar i rëndësishëm.

Skënderbeu luajti fundjavën e kaluar dy ndeshje miqësore me Pogradecin me Maliqin, ku është parë gjendja e të gjithë lojtarëve në dispozicion. I skualifikuar është mbrojtësi kolumbian Vaskez dhe trajneri Gvozdenoviç duhet të vendosë për partnerin e kapitenit Prençi në qendër.

Skema e lojës gjithsesi nuk ndryshon, me trajnerin serb që mbetet besnik i 4-3-3-shit. Mund të ketë edhe ndonjë ndryshim tjetër në formacion, por stafi teknik ka edhe disa ditë kohë për të vendosur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat