Nuhiu: Duhet japim më shumë se maksimumin për ta fituar ndeshjen

Futboll

Nuhiu: Duhet japim më shumë se maksimumin për ta fituar ndeshjen

Më: 17 tetor 2024 Në ora: 19:23
Ardian Nuhiu

Ardian Nuhiu, kryetrajner i Gjilanit, ka dërguar mesazh për futbollistët e tij nga dhoma e shtypit para duelit ndaj Ferizajt, i cili është i rendësishëm për vazhdimësinë.

Kryetrajneri i skuadrës vlerësoi organikën e kundërshtarit të nesërm, ndërkohë që ka potencuar se futbollistët e tij duhet të tregojnë më tepër se maksimumin për ta fituar këtë sfidën.

“Ndeshemi me një kundërshtar që ka në përbërje futbollist cilësor dhe shumë të shpejtë. Kemi shfrytëzuar pauzën e kombëtareve për të analizuar ekipin kundërshtar dhe për ta përgatitur këtë ndeshje për të cilën duhet të japim më shumë se maksimumin, të sakrifikojmë dhe të luftojmë për të marrë maksimumin e ndeshjes që të kemi ecuri dhe vazhdimësi të rezulteteve pozitive”, theksoi fillimisht Nuhiu.

Shefi i shtabit ka folur edhe për formën të cilën po e kalon ekipi i tij, teksa ka potencuar se është i kënaqur me punën e bërë, por jo edhe me rezultatet, të cilat nga ndeshja e parë kanë mundur të jenë në favorin e ‘kuqebardhëve’.

“Jam i kënaqur me mënyrën se si është punuar, me shumë përkushtim dhe profesionalizëm. Jam i kënaqur me mënyrën se si kemi luajtur, por nuk jam i kënaqur me rezultatet. Në çdo ndeshje kemi luajtur mirë, kemi shënuar, por nuk kemi arritur ta menaxhojmë si duhet. Futbollistët po marrin mesazhin që ne po japim, por normalisht që duhet kohë dhe ambientim për të arritur atë që ne kërkojmë”, potencoi Nuhiu.

“Jemi në rrugën e duhur. Ndeshjet e fundit kanë qenë pozitive dhe kjo është mënyra të cilën ne e kërkojmë të luajmë. Pushimi i kombëtareve na ka ndihmuar që të rehabilitohen disa futbollist të cilët kanë patur shqetësime”, shtoi ndër të tjerash Nuhiu.
Në lidhje me gjendjen aktuale të futbollistëve dhe gatishmërisë së tyre për ndeshjen e nesërme ndaj Ferizajt, i pari i stolit foli për përditësimet e fundit.

“Gjithë grupi është në dispozicion, përveçse futbollistit Yll Ibrahimi, i cili është rikthyer nga ekipi kombëtar me shqetësim. Nesër do ta dijmë gjendjen e tij fizike. Futbollistët e tjerë të cilët kanë patur shqetësime janë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për lojë”, deklaroi Nuhiu.

I pyetur për strukturën e futbollistëve të cilën e posedon dhe ndryshimeve eventuale, tekniku i gjilanasve u shpreh:

“Është herët të flasim për ndryshimet të cilat mund të vijnë në pranverë, ne mund të flasim vetëm për ndeshjen e radhës. Jemi të përqendruar te grupi të cilin e kemi dhe jemi mjaft të kënaqur.

Deri në afatin kalimtar të janarit ka kohë për të parë dhe për të analizuar pikat të cilat mund të kemi nevojë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat