Skuadra e Ferizajt kthehet me tre pikë që peshojnë shumë për të ikë nga zona e rrezikut në elitën e futbollit të Kosovës.
Ferizajasit shënuan fitore në udhëtim me rezultat 2:1 ndaj Gjilanit, në kuadër të javës së 9-të.
Pjesa e parë i takoi Ferizajt ku avancoi me rezultat 0:2 duke iu falënderuar golave të Edon Sadriut në minutën e 14-të dhe Abdeen Abdul në atë të 42-tën.
Të dy golat bien pas asistimit të Avdullit.
Në minutën e 71-të, Jaroviq shënoi gol për të ngushtuar humbjen në 1:2.
Në minutën e 84-të, Jamal Arago u ndëshku me karton të kuq dhe la skuadrën e tij me një lojtar më pak në fushë.
Ferizaj ngritet në vend të shtatë me 10 pikë e Gjilani bie në të teton me 9 sosh.
Është fitorja e dytë rresht për Ferizajn dhe e para si mysafire në edicionin e ri.
Për djelmoshat e kryetrajnerit Arsim Abazi janë tre pikë në kohën e duhur e nga ana tjetër, homologu i tij, Ardian Nuhiu me ekip po kalon krizë të rezultateve.