Flick gati të grumbullojë për ndeshjen ndaj Sevillës talentin e mesfushës

Futboll

Flick gati të grumbullojë për ndeshjen ndaj Sevillës talentin e mesfushës

Më: 18 tetor 2024 Në ora: 20:17
Gavi

Më 19 nëntor të vitit të kaluar, të gjithë tifozët e Barcelonës u ngrinë kur 26 minuta pas ndeshjes mes Spanjës dhe Gjeorgjisë panë Gavin të largohej nga fusha i lënduar dhe duke qarë.

Ishte një dëmtim i rëndë: këputje e plotë e ligamentit të kryqëzuar të përparmë në gjurin e djathtë dhe një dëmtim shoqërues i meniskut anësor. Rimëkëmbja ka qenë e ngadaltë, por tashmë ka arritur pikën e fundit.

Gavi do të futet në skuadër këtë të diel për ndeshjen mes Barcelonës dhe Sevillas.

Vendimi tashmë është marrë. Kanë kaluar 336 ditë që nga ai lëndim dhe tani ai është gati të luajë sërish.

Gavi do të përfshihet në listë, por tjetër gjë është nëse do të luajë. Gjithçka do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet ndeshja, por ideja fillimisht është që ai të mund të luajë disa minuta.

Flick dëshiron t’i aktivizojë pak nga pak lojtarët që kthehen pas një dëmtimi. Kjo është ajo që ai ka bërë me Ansu Fatin dhe Frenkie de Jong. Në grumbullimin e tyre të parë ata luajtën vetëm disa minuta.

Është procedura që do të vijojë edhe me Gavin pas atyre njëmbëdhjetë muajve që ka mbetur në infermieri. Mesfushori duhet të rrisë ritmin, por në mënyrë progresive.

Flick nuk do të rrezikojë një rikthim të parakohshëm duke marrë parasysh që Gavi është një nga lojtarët kryesorë në skuadrën e tij.

Ai do të duhet të bashkohet gradualisht me ekipin dhe pritet që versioni më i mirë i Gavi të shihet pas pushimit të Krishtlindjeve.

Nuk është i vetmi rikthim që është planifikuar për këtë takim. Dani Olmo dhe Fermín janë tashmë në fazën përfundimtare të rikuperimit të tyre dhe pritet të hyjnë gjithashtu në listë.

Holandezi De Jong nuk u thirr nga kombëtarja e tij në mënyrë që të vazhdonte stërvitjen në Barcelonë pa rrezikuar më shumë. Mund të ndodhë që në ndeshjen kundër Sevillas ai tashmë të hyjë në njëmbëdhjetëshen startuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat