Ramadani flet për incidentin me trajnerin e tij

Futboll

Ramadani flet për incidentin me trajnerin e tij

Më: 19 tetor 2024 Në ora: 17:54
Ylber Ramadani

Futbollisti i Shqipërisë që aktivizohet te Lecce, Ylber Ramadani, të shtunën në konferencën për shtyp ka folur për incidentin me trajnerin e tij, Luca Gotti, në ndeshjen e xhiros së pestë kur Lecce barazoi me Parman, 2:2.

Në atë ballafaqim, Ramadani 28-vjeçar kishte asistuar në golin për 1:0 në minutën e 32-të.

Por ishte zëvendësuar 15-të minuta pa u mbyllur e gjithë ndeshja.

Kjo nuk i kishte pëlqyer Ramadanit, që kishte bërë një gjest ndaj trajnerit të tij në shenjë revolte.

Ai ka thënë se ka kërkuar falje dhe kjo çështje është mbyllur tashmë.

“Nuk kam bërë gjest të tillë kurrë në karrierën time, nuk ishte e hijshme. Dua t’i kërkoj falje trajnerit në praninë e të gjithëve, edhe pse e kam bërë këtë në dhomën e zhveshjes.

Trajneri është si baba për mua.

Më ka ndihmuar shumë. Është kaptinë e mbyllur”, ka deklaruar Ramadani në konferencën për shtyp të shtunën, një ditë para ballafaqimit me Fiorentina.

Fiorentina – Lecce luhet të dielën nga ora 15:00 dhe i takon xhiros së tetë të Serie A të Italisë.

Lecce është në ecuri prej tri disfatave e dy barazimeve në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Fitoren e fundit e ka më 31 gusht ndaj Cagliarit, 1:0.

“Fiorentina fitoi ndaj Milanit, nuk kanë vetëm lojtar të fortë. Fiorentina është e fortë si skuadër dhe e dimë se nuk do të jetë e lehtë për ne. Unë do të luajë kudo që më inkuadron trajneri dhe e bëj më të mirën.

Do të bëj çdo gjë edhe në këtë ndeshje për t’i ndihmuar bashkëlojtarët”, ka deklaruar Ramadani.

Ramadani i kompletoi të dyja ndeshjet e Grupit B1 të Ligës së Kombeve me Shqipërinë, në humbjen 2:0 nga Republika e Çekisë, dhe në fitoren 1:0 ndaj Gjeorgjisë.

“Jam kthyer tri ditë më parë te Lecce. Që në ditën e parë pash atmosferë pozitive. Jemi të bashkuar dhe kjo është e rëndësishme për ndeshjen e ardhshme në të cilën duam të marrim rezultat pozitiv.

Lojtarët me eksperiencë i ndihmojnë të rinjtë. Atmosfera është fantastike. Tifozët janë me ne po ashtu dhe do ta japim më të mirën”, ka deklaruar Ramadani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat