Ahmataj: Fitoret na japin besim

Futboll

Ahmataj: Fitoret na japin besim

Më: 19 tetor 2024 Në ora: 19:12
Kombëtarja shqiptare

Kombëtarja shqiptare U-19 mbylli me sukses dy testet e fundit miqësore përpara kualifikueseve për Kampionatin Europian “Rumani 2025”.

Kuqezinjtë fituan dy takimet me Malin e Zi 3-2 dhe 2-0, ndërsa tashmë i gjithë fokusi është te përgatitja e ndeshjeve kualifikuese.

Shqipëria U-19 ndodhet në grupin 11 së bashku me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut, ndërsa ndeshjet e këtij grupi do të luhen në vendin tonë nën organizimin e Federatës së Futbollit.

Trajneri i Kombëtares U-19, Julian Ahmataj, në një prononcim për fshf.org komentoi dy fitoret në ndeshjet miqësore ndaj Malit të Zi.

“Ndeshjet shkuan mirë pasi përpos rezultatit që arritëm t’i fitonim na jep më tepër kurajo dhe besim për ndeshjet e nëntorit”- tha tekniku kuqezi, i cili foli edhe për kundërshtarët në kualifikueset e “EURO 2025”.

“Të gjithë kundërshtarët janë të fortë, por ne duhet të bëjmë lojën tonë, të luajmë dhe të krijojmë mundësitë. Duhe të bëjmë maksimumin tonë për të dhënë më të mirën. Nëse ne e japim më të mirën, gjithmonë jemi më të fortë kur jemi bashkë” – theksoi Ahmataj, i cili shtoi se është një shtysë më e madhe për ekipin që ndeshjet kualifikuese do të luhen në Shqipër.

Ky është një bonus psikologjik për skuadrën dhe për të gjithë lojtarët që të kenë kënaqësinë që të luajnë përpara njerëzve të tyre në vendin e tyre. Padiskutim i jep lojtarëve një shtysë më tepër dhe është një arritje e madhe për ne që t’i luajmë ndeshjet në shtëpi. Do të tentojmë që të japim më të mirën para gjithë publikut shqiptar.

Objektivi?- “Objektivi është që ne të kalojmë grupin dhe të shkojmë në “Elite Round”, ky është objekiv minimal” – përfundoi Julian Ahmataj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat