Milani arriti një fitore tepër të vuajtur mbrëmjen e sotme me rezultatin 1-0 ndaj Udinezes, në duelin e vlefshëm për javën e 8-të të Serisë A. Kuqezinjtë luajtën prej minutës së 29-të, me një lojtar më pak, pas daljes me karton të kuq të Reijnders.
Në prononcimin e dhënë pas sfidës për mikrofonin e “DAZN”, trajneri i Milanit, Fonseka, ndër të tjera deklaroi:
“Ndeshja kishte dy fytyra, e para deri në minutën e 30-të kur morëm kartonin e kuq. Kemi luajtur gjysmë ore me personalitet të madh dhe cilësi ndaj një ekipi të fortë, afër asaj që dua për këtë Milan. Më pas ishte një ndeshje e luajtur me shpirt skuadre, vuajtëm bashkë. Nëse kishte dyshime për unitetin e kësaj skuadre, sot pamë se jemi të bashkuar.
Për mua është gjëja më e rëndësishme, jam shumë i kënaqur me të gjithë. Kushdo që hyri ishte vendimtar në punën për skuadrën, është e vërtetë që vuajtëm por ndaj një ekipi të mirë që bën shumë krosime është normale.
Goli i anuluar i Udinezes? Do të ishte një padrejtësi e madhe për ekipin, mundësitë më të pastra i krijuam ne. Të mos fitonim do të ishte një padrejtësi, sepse lojtarët i meritonin këto tre pikë. Sot ishte shumë e vështirë të zëvendësoje Okaforin sepse ai po bënte një lojë të shkëlqyer”, deklaroi Fonseka.