Slot: Mbrojtja do të jetë vendimtare

Futboll

Slot: Mbrojtja do të jetë vendimtare

Më: 20 tetor 2024 Në ora: 11:40
Arne Slot

Trajneri i Liverpulit, Arne Slot, ka kërkuar një rishikim të kalendarit vendas pasi humbi disa javë për shkak të dëmtimit portierin e tij të parë Alison Beker. Gardiani brazilian pësoi një dëmtim muskulor në kofshë në fitoren në Kristal Palas më 5 tetor dhe pritet të jetë jashtë fushës së paku deri në pushimin tjetër ndërkombëtar, në mes të nëntorit.

Alison luajti në një ndeshje të Ligës së Kampioneve të mërkurën në mbrëmje, përpara se të lëndohej në ndeshjen e së shtunës në Premier Ligë, luajtur në orën 12:30. Paraardhësi i Slotit, Jyrgen Klop, i quante ndeshjet e mesditës një krim dhe holandezi këmbëngul që kalendari të ndryshohet.

“Ndeshjet që nisin në 12:30 nuk janë një problem, sepse ne stërvitemi në të njëjtën orë gjatë javës, por ajo që mund të jetë diçka për ta menduar për Federatën është se nëse luan një ndeshje të Ligës së Kampioneve të mërkurën në mbrëmje dhe më pas luan të shtunën në orën 12:30, mund të jetë një disavantazh kur bëhet fjalë për dëmtimet”, tha Slot në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së të dielës me Çelsin.

“Ajo që është shumë e mirë në Holandë është fakti se të gjitha skuadrat që luajnë në Ligën e Kampioneve në javën pasardhëse, nuk luajnë të dielën. Ata marrin pushim shtesë për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme për ndeshjen e Champions-it. Kjo nuk është diçka e zakonshme këtu në Angli”.

Liverpuli pret Çelsin pasdite të dielën përpara një ndeshjeje të Champions-it në transfertë me Lajpcigun të mërkurën. Alison ka humbur tashmë dy ndeshje këtë sezon për shkak të dëmtimit dhe ishte jashtë për më shumë se dy muaj nga shkurti deri në prill sezonin e kaluar. “Është pak e pazakontë për portierët”, tha Slot.

“Për mua, është e zakonshme sepse portieri që kisha te Fejnordi (Xhastin Bijlou) gjithashtu kishte probleme me lëndimet, gjithashtu dëmtime muskulore. Jemi duke e shqyrtuar dhe cila mund të jetë arsyeja.

32-vjeçari pritet të zëvendësohet nga portieri irlandez Kaoimhin Kelleher. Holandezi u ndal të komentonte edhe peshën e rivalit të së dielës dhe rolin e kapitenit Virxhil van Dajk deri tani me mbrojtjen që këtë sezon ka qenë e blinduar.

“Çelsi është një sfidë. Nëse dëshiron të arrish diçka në një sezon, atëherë duhet të jesh i qëndrueshëm në mbrojtje. Ne kemi qenë deri më tani, por tani përballemi me Çelsin, i cili ka shumë individë të talentuar, të cilët duhet të përpiqemi t’i menaxhojmë dhe kontrollojmë. Virxhil ka qenë vendimtar për ne. Ajo që ju nuk e shihni dhe unë shoh është se sa i rëndësishëm është ai në terrenin stërvitor. Ai është padyshim lideri ynë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat