Struga Trim Lum favorit ndaj Sileksit

Futboll

Struga Trim Lum favorit ndaj Sileksit

Më: 20 tetor 2024 Në ora: 12:43
Pamje nga një ndeshje

Me përfundimin e pushimit ndërkombëtarë, sot rikthehen ethet e Ligës së Parë në Maqedoninë e Veriut. 

“Struga Trim Lum rikthehet në Strugë, aty ku do të zhvillojmë ndeshjen e vlefshme të javës së 10-të kundër Sileksit.

Sileksi është kundërshtari ynë i rradhës në kampionat. Atmosfera në skuadër është e shkëlqyer në prag të këtij takimi, që nuk do të jetë aspak i lehtë për skuadrën tonë, kjo bazuar edhe në renditjen aktuale në tabelën e klasifikimit.

Vetëm një pikë më shumë kemi ndaj kundërshtarit të nesërm, që në Strugë udhëton pas një barazimi pa gola ndaj Shkëndijës në Kratovë.

Ruajtja e rrjetës së paprekur ndaj sulmit më të mirë në kampionat, dëshmon për një mbrojtje solide që ka krijuar trajneri Aleksandar Vasoski. Vetëm 5 gola të pranuar në 9 ndeshje, e dëshmon më së miri këtë fakt, me skuadrën nga Kratova që tashmë 285 minuta nuk ka pranuar gol.

Mbetet të shihet se si do të reagojë mbrojtja kundërshtare ndaj sulmit tonë, që në tre ndeshjet e fundit ka realizuar 7 gola, 4 prej tyre vetëm në ndeshjen e fundit kundër Vardarit në Shkup.

Pikërisht kjo fitore ka ngritur vetëbesimin në skuadër, mirëpo këto pikë nuk do të kishin aspak vlerë, në rast se nuk arrijmë të marrim maksimumin e tyre në ndeshjen e nesërme, thotë trajneri Qatip Osmani.

“Fitorja me Vardarin e ka ngritur në maksimum atmosferën pozitive në skuadër, megjithatë nuk do vlente asgjë e njëjta, në rast se edhe nesër nuk marrim pikët e plota. Atmosfera në skuadër është e shkëlqyer, ndaj dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm edhe nesër, po edhe në ndeshjet që na presin në vijim”.

Ndeshja e fundit ndaj Sileksit kishte një fund të hidhur, kjo pasi skuadra pavarësisht avantazhit prej dy golave, në fund pësoi disfatë 2:3.  Ishte kjo njëherit disfata e vetme në shtëpi ndaj skuadrës nga Kratova, ndaj së cilës golin e fundit e kishte realizuar Marjan Radeski.

Marjan Radeski është futbollisti i fundit, por njëherit edhe më efikasi në përballjet e fundit ndaj Sileksit. Sulmuesi ynë në tre ndeshjet e fundit ka shënuar po aq gola ndaj skuadrës nga Kratova, ndaj së cilës po aq gola numëron edhe kapiteni Bunjamin Shabani.
Ky i fundit një shifër të tillë golash e ka arritur në 6 ndeshje, ndërsa më efikasi në përballjet ndaj skuadrës nga Kratova mbetet, Besart Ibraimi, që në 5 ndeshje kishte realizuar 4 gola”,
ka njoftuar FC Struga Trim Lum.
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat