Kosova Dusseldorfit sfidon Ballkanin për Superkupën Kosovë - Diasporë

Futboll

Kosova Dusseldorfit sfidon Ballkanin për Superkupën Kosovë - Diasporë

Nga: K.G. Më: 22 tetor 2024 Në ora: 14:22
Kosova Dusseldorfit e Ballkani

Skuadra më e suksseshme në Diasporë, FC Kosova e Dusseldorfit, po përgatitet për sfidën e madhe të 16 nëntorit në Dusseldorff, ku do të ndeshet me kampionin Ballkanin e Therandës, në kuadër të Superkupës së Kosovës në futboll.

Djelmoshat kuqezi po kalojnë superfomë në Landesliga, aktualisht kryesojnë me 26 pikë. 

“Të nderuar tifozë të futbollit dhe përkrahës të FC Kosova Düsseldorf, me krenari ju njoftojmë se ekipi ynë do të zhvillojë një ndeshje të rëndësishme kundër FC Ballkanit në kuadër të Superkupës Kosovë - Diasporë.

Kjo ndeshje ka një rëndësi të veçantë, pasi FC Kosova Dusseldorf vjen si fituese e Kupës së Kosovës në Diasporë, duke përfaqësuar me dinjitet komunitetin shqiptar në Gjermani. Tani na pret një sfidë e madhe kundër një kundërshtari të kalibrit të lartë siç është FC Ballkani”, ka shkruar në faqen e FC Kosova. 

Klubi më i organizuar në Diasporë, me një buxhet 250 euro, ka bërë edhe një përshkrim në pika të shkurtra për Ballkanin.  

“FC Ballkani, me një histori që fillon në vitin 1947, është një nga klubet më të mëdha dhe më të suksesshme të futbollit në Kosovë. I themeluar në qytetin e Therandës, Ballkani ka krijuar një reputacion si një nga skuadrat më të forta në Superligën e Kosovës, duke fituar tituj kampioni dhe duke përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Në sezonin 2021-2022, Ballkani bëri histori duke fituar Superligën e Kosovës dhe siguruar një vend në UEFA Conference League. Ata janë të njohur për disiplinën e tyre taktike dhe përgatitjen e fuqishme fizike.

Ndeshja kundër një skuadre me kaq shumë përvojë dhe suksese si FC Ballkani do të jetë një provë e madhe për FC Kosova Düsseldorf. Por, me mbështetjen e tifozëve tanë dhe me shpirtin luftarak që gjithmonë na karakterizon, besojmë se mund të dalim nga kjo sfidë me kokën lart”, shkruan në faqen e klubit kuq e zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat