Dy skuadrat e mëdha italiane luajnë sonte në Champions

Futboll

Dy skuadrat e mëdha italiane luajnë sonte në Champions

Më: 22 tetor 2024 Në ora: 15:26
Foto ilustrim

Dy disfata radhazi nuk premtojnë asgjë të mirë.

E vërtetë që Championsi këtë vit ka formulë të re dhe të jep më shumë mundësi kualifikimi, por për Milanin ka ardhur koha t’i japë fund mallkimit.

Humbjet në shtëpi ndaj Liverpulit dhe në Gjermani kundër Leverkusenit do të thotë zero pikë në renditje, ndërsa ndeshja e sotme përballë Klub Bryzhit duhet fituar me patjetër.

Jo vetëm për arsye morali, por edhe sepse më pas në kalendar është vizita në Madrid ku e pret Reali!

Trajneri Paulo Fonseka ishte pak më i qetë në stërvitje pas fitores së vështirë, por me karakter kundër Udinezes në Serinë A, ndërsa lajmëroi se Leao do të jetë titullar ndaj belgëve, ashtu si edhe Teo Hernandez.

Kuqezinjtë I kanë të gjithë lojtarët në dispozicion me përjashtim të emrave të tillë si Benaser, Sportielo, Florenci dhe Kalabria, ndërsa Gabia ndoshta do të jetë në stol.

Një tjetër skuadër italiane në Champions dhe që luan sonte është Juventusi.

Ndryshe nga lombardët, “zebrat” kanë 6 pikë të plota pas përmbysjes spektakolare që realizuan në Lajpcig, me shifrat 3-2.

Edhe në Serinë A forma duket e mirë siç e tregoi suksesi ndaj Lacios në Torino, edhe pse bardhezinjtë nuk bindin plotësisht.

Trajneri Tiago Mota do të ketë disa mungesa si portieri Di Gregoria, si dhe Bremer, Milik dhe Kopmeiers, ndërsa Niko Gonzales dhe Ueston Mekeni mbeten në dyshim.

Përballë Juves do të jetë Shtutgarti me një pikë në Champions dhe që vjen nga humbja 0-4 me Bajernin në Bundesligë.

Emri tjetër I rëndësishëm I Ligës së Kampionëve është Arsenali.

Londinezët në të vërtetë janë të tronditur për shkak të humbjes me Bornmuthin në Premier, por trajneri Arteta është përpjekur që kjo të harrohet, ndërsa Shahtari I Donjeckut vjen në “Emirejts”.

Një provë që duhet fituar, por asnjë ndeshje nuk quhet në xhep pa u luajtur më parë.

Ai u ka thënë yjeve të tij që të jenë të kujdesshëm sepse nuk mund të luajnë gjithmonë me 10 lojtarë, pra nuk duhet të marrin kartonë të kuq.

Mungesë është kapiteni Odegard, ndërsa pritet që të mungojnë edhe Saka e Timber.

Në Champions, “topçinjtë” nuk kanë probleme, pasi kanë 4 pikë pas barazimit në Itali me Atalantën dhe fitores në shtëpi 2-0 kundër Paris SG.

Në program, edhe sfida si Paris SG-PSV Ajndhoven, Aston Vila-Bolonja apo Zhirona-Slovan Bratislavë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat